Më së fundi tre policët janë në shtëpi ku kanë mundësi të kurohen dhe qetësohen.
Tani ka nisur gara se kush e ka meritën.
Në Kosovë, ndjekësit e Kurtit nxitojnë t’ia lënë meritën politikës intrasigjente të Albinit, i cili nuk pranoi të bënte lëshime. Mbase në një fotografim të momentit kanë të drejtë pasi tre policët u liruan kurse dy të arrestuarit nga pala serbe ende jo.
Në Shqipëri po i lënë meritën Edi Ramës dhe kërcënimit të tij se do ngrijë marrëdhëniet me Serbinë. Mbase nisur nga takimi i fundit ithtarët e tij kanë të drejtë pasi Rama nuk e shikoi Vuçiçin dhe as i trokiti gotat. Por në fakt Rama nuk e kërcënon dot Vuçiçin pasi kështu klasifikohet si një prerje me Albinin sikurse oligarkët më të mëdhenj që ka rreth vetes i bien mallrat nga Serbia ose nëpërmjet Serbisë.
I vetmi që kishte interes të lironte policët ishte Aleksandër Vuçiç. Me këtë akt ai del në sy të bashkësisë ndërkombëtare si njeri i paqes. Në kushtet kur Perëndimi nuk po kupton çfarë po ndodh në Rusi; kur ofensiva ukrainase ka ngecur me gjithë furnizimet me armatim që ka marrë nga Perëndimi, madje në disa sektorë rusët kanë kaluar në kundërofensivë; kur presidenca Biden po futet në vitin e çalë dhe askush nuk është i qartë për pasardhësin, Perëndimi nuk e ka mendjen se çfarë bëjnë dy kaposhë fshati në shkrepat e Ballkanit.
E në këto kushte Vuçiçi ka fituar pikë si njeri i paqes, pasi ai është edhe kryetari i shtetit që mund të bëjë luftë, të ftohë marrëdhëniet me të tjerë apo t’i nxehë, sikurse të rrëmbejë policët e t’i lirojë ata, pasi ai është shefi i shtetit që ka qenë gjithmonë fuçi baruti.
Njëkohësisht me këtë lëvizje ai i ka rritur pikët Albinit si trim me fletë dhe në të ardhmen siguron rishtas një kundërshtar, i cili ka kuota të ulëta në sytë e Perëndimit. Dhe pse jo, i rrit kuotat edhe Ramës si njeri që i imponohet Vuçiçit, por që në realitet asnjëri nga të dy nuk është kundërshtar që i rrezikon pozitën në Serbi apo në Bruksel.