Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka pohuar se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, por vetëm kur t’i plotësohen dy kushte.
Kushti i parë është që forcat speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe i dyti të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë. Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.