Në Firenze të Italisë është duke u mbajtur edicioni i Diamond League, ku marrin pjesë atletët më të mirë në botë, duke garuar në disa disiplina. Në garën e 3 mijë metrave me pengesa, atletja shqiptare Luiza Gega u rendit në vendin e 10-të.
Në një garë të fortë, Gega e mbylli me kohën 9 minuta, 11 sekonda e 94 të qindtat. Kampionia shqiptare ishte më pak se dy sekonda larg rekordit të saj, duke bërë mirë në garën e Diamond League.
Me këtë kohë, Gega ia ka dalë që të kapë edhe normën për në kampionatin Botëror. Tanimë Gega ka treguar formën e mirë fizike, duke shpresuar në një medalje në garat e radhës.
Në garën e Firenzes për 3 mijë metra me pengesa, vendin e parë e zuri etiopiania Sembo Almayeu, e dyta u rendit keniania Jackline Chepkoech dhe e treta etiopiania Zerfe Uondemagegn.