Luiza Gega padyshim po tregon formën e mirë, teksa ka fituar garën e 3 mijë metrave me pengesa në Kampionatin Evropian Ekipor të Atletikës që po zhvillohet në Krakow të Polonisë. Atletja shqiptare ka fituar në divizionin e tretë të garës, teksa e ka mbyllur me kohën 9:17.31.
Me këtë fitore, Gega barazohet me kampionen bullgare Ivet Lalova-Collio me 11 fitore në historinë e kampionateve të ndryshme evropiane, teksa dy herë ka dalë në vendin e dytë. Veç suksesit, Gega ka vendosur edhe rekord për femrat me kohën e saj në këtë event, duke lënë pas izraeliten Adva Cohen. Gega ka kaluar rusen Yuliya Zaripova, me këtë të fundit që në 19 qershorin e 2010 në Bergen e mbylli me 9:23:00. Më mirë se Gega në këtë garë ka bërë vetëm rusja Gulnara Samitova në Lojërat Olimpike të Pekinit në 2008, teksa e ka mbyllur me kohën 8:58.81.
Në këtë event që po zhvillohet prej ditësh, Gega i ka shtuar edhe 15 pikë të tjera skuadrës shqiptare që po merr pjesë në Kampionatin Evropian të Atletikës.
Kujtojmë se pak ditë më parë Gega fitoi edhe në garën e 5 mijë metrave, teksa dita e sotme ishte kryesore për atleten kuqezi, që fitoi në disiplinën e saj në 3 mijë metra me pengesa.
“Ajo ia doli, fitoi kampionatin duke thyer rekord! Luiza Gega barazohet me Ivet Lalova-Collio (BUL) si atletja më e suksesshme në historinë e kampionateve evropiane të atletikës me 11 fitore dhe dy nënkampione. Ajo fitoi edhe garën me pengesa 3000 metra për femra duke kapur dhe kohën rekord 9:17.31, çka ka sjellë 15 pikë për ekipin e Shqipërisë”, shkruan Federata Europiane e Atletikës.