MENU
klinika

Më mirë se Luis Hamilton dhe Shumaker

Maks Vershtapen i “djeg” të gjithë me statistika

30.06.2023 - 13:05

Këtë të diel Formula 1 do të transferohet në shtëpinë e Red Bullit për Çmimin e Madh të Austrisë. Në cirkuitin që është në pronësi pikërisht të skuderisë austriake, kanë nisur përgatitjet për festën, ndërsa të gjithë mund të mbështeten te kampioni në fuqi i botës, Maks Vershtapen, i cili vijon të shkruajë historinë në F1. Holandezi është në kërkim të fitores së 22-të në 31 garat e fundit që ka zhvilluar.

Statistikë mbresëlënëse që certifikon një dominim, i cili duket i vështirë për t’u ndalur në një të ardhme të afërt. Sigurisht për këtë ka një meritë të madhe edhe njëvendëshja e jashtëzakonshme RedBull, që së bashku me talentin e padiskutueshëm të pilotit dhe sintoninë me skuadrën, po shënojnë një epokë magjike në F1. Një superfuqi e rrallë në pistë, e cila shkon madje edhe përtej statistikave.

KRAHASIME TË RËNDA – Maks Vershtapen drejton shpejt, shumë shpejt, si në pistë ashtu edhe në historinë e Formulës 1, aty ku ka nisur të shkruajë emrin e tij me germa të arta, me shpejt se çdo pilot tjetër.

Ndonëse ende nuk ka mbushur 26 vjeç, Maks ka arritur rezultate, të cilat nuk i ka prekur askush më parë në një moshë kaq të re. Alen Prost, i cili është edhe objektivi i radhës i Vershtapenit, si për numrin e fitoreve gjithashtu edhe për titujt, në moshën aktuale të pilotit holandez nuk kishte arritur të fitonte asnjë garë nga 51 triumfet që ka shënuar në F1.

Airton Sena, që në unanimitet konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e këtij sporti, deri në moshën 25- vjeçare kishte fituar vetëm 2 gara.

Sigurisht epokat janë të ndryshme, pasi një herë e një kohë në F1 pilotët zbarkonin në moshë më të madhe se në ditët e sotme dhe Prost debutimin në Formulën 1 e ka pikërisht në moshën aktuale të Vershtapenit, me pilotin e Red Bullit që sot ka mbi shpatulla një eksperiencë 9-vjeçare në kampionat përfshirë edhe sezonin e tanishëm.

Ndërsa Sena debutoi në F1, katër ditë pasi kishte festuar 24-vjetorin e lindjes. Një sqarim për të treguar se krahasimet ndërmjet epokave janë të vështira për t’u bërë.

LË PAS EDHE FETELIN DHE HAMILTONIN – Megjithatë, nëse shikojmë dhe analizojmë statistikat, është e pamohueshme se dy herë kampioni i botës që tashmë po marshon drejt titullit të tretë, po rishkruan librin e rekordeve.

Nëse për 10 fitoret e para, edhe pse në avantazh, Vershtapen mund të krahasohet me Luis Hamiltonin dhe Sebastian Fetelin (23 vjeç), ngjitja e shkallëve për holandezin ka nisur në mënyrë të ngjashme me ish-pilotin gjerman.

Deri në triumfin e 20-të, të dy kanë qenë thuajse në të njëjtën moshë, 24 vjeç, por më pas Maks ka futur “turbon” duke bërë më pas diferencën në dy sezone e gjysmë, me 21 gara të fituara nga 30 gjithsej.

Statistikë e jashtëzakonshme. Hamilton, që është edhe më fituesi në historinë e Formulës 1 me 103 suksese, triumfin e 41-të në karrierë e ka arritur në moshë 30-vjeçare.

Majkëll Shumaker, i ndalur në kuotën e 91 fitoreve, suksesin e 41-të e arriti kur ishte 31 vjeç. Sena kur ishte 33 vjeç dhe Prost në moshë 35-vjeçare. Ai që i afrohet më shumë pilotit holandez në këtë statistike është Sebastian Fetel, i cili fitoren e 41-të e regjistroi kur ishte 27 vjeç.

Nëse Red Bulli do të vazhdojë me këtë trend dhe me këtë nivel, Vershtapen mund t’i afrohet për të thyer rekordin absolut të fitoreve të Luis Hamiltonit, diku rreth moshës 30-vjeçare.

RREZIQET – Por gjithnjë duhet marrë në konsideratë edhe ana tjetër e medaljes. Vershtapen ka shkelur në F1 me herët se të gjithë kampionët e tjerë me të cilët e kemi krahasuar, e ka nisur shumë më përpara se ata karrierën. Por jeta e garave është stresuese dhe sezonet e zhvilluara gjithnjë nën presion kanë koston e tyre dhe jo gjithmonë mund të bashkëjetojnë me suksesin.

Këtë e dëshmojnë më së miri rastet me Hamiltonin në dy kampionatet e fundit si dhe Alonso në periodën post-Ferrari. Pa një makinë fituese pilotët e kanë shumë të vështirë dhe u duhen motivacione të forta. Vetë Vershtapen, pak muaj më parë deklaroi publikisht se për të ka gjëra më të rëndësishme në jetë se Formula 1.

Pra, edhe piloti holandez duket se po ndien lodhjen e këtij sporti, pasi kujtojmë se debutimin në kategorinë kart e ka bërë që në vitin 2005 dhe tashmë vitet e “punës” për të janë 18. Megjithatë, vetëm e ardhmja do ta tregojë se sa do ta ndryshojë Maks Vershtapen librin e rekordeve të Formulës 1.

Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”

I ka bindur të gjithë përveç… Silvinjos

Milani bën gati ofertën për Kristian Shpendin

U dëmtua me Kombëtaren në momentin më të mirë

Muçi mëson sa do të qëndrojë larg fushave të lojës