MENU
klinika

“Aventurierët” që po na mbeten rrugëve

Monitor: Qeveria nuk përmirëson sinjalistikën!

25.06.2023 - 10:00

Një e hënë e zakonshme për Albanian Rafting Group, që po shoqëronte turistët në rrjedhën e Osumit, në një nga aventurat më domethënëse që ofron vendi ynë, mori kthesë tjetër, duke u kthyer në mision shpëtimi.

Përballë tyre u shfaq pa ndjenja trupi i Helmës, një turiste holandeze që rrjedha e kishte marrë para, duke e përplasur në shkëmbinj. Fatmirësisht ajo u shpëtua në kohë. Por pas përmendjes, ekipi mësoi se ai që mungonte ishte bashkëshorti. Shtetasi 68-vjeçar nuk ia doli të shpëtonte nga rrjedha e papritur dhe e vrullshme e lumit.

Në automjetin e çiftit u gjetën jelekë shpëtimi, të cilët nuk i kishin marrë me vete, por nëse do t’i kishin veshur, ndoshta mund t’ju jepnin një shans më shumë përballë forcës së natyrës.

E mbijetuara nga kjo ngjarje rrëfeu se arsyeja pse nuk i kishin marrë pajisjet e sigurisë ishte përshkimi që u kishte bërë një turiste çeke në hyrje të kanionit, e cila e kishte cilësuar eksplorimin si “të lehtë”. Nga ana tjetër nuk kishin konstatuar ndonjë sinjalistikë paralajmëruese. Ngjarja në fjalë ndodhi në datën 8 maj të këtij viti.

Disa ditë më pas, në kanionin e Langaricës ishte një tjetër rast i një çifti gjerman, të cilët kishin hyrë për ecje në lumë, por një prurje e menjëhershme i kishte marrë para. Këtë herë i mbijetuari ishte bashkëshorti, teksa banorët dhe ata që ndodheshin në atë moment në vendngjarje nuk kishin asnjë mënyrë për të ndërhyrë, por me duart në kokë shihnin të tronditur skenën.

Po në maj të këtij viti, dy turiste të tjera të huaja humbën jetën, këtë herë në shtegun Valbonë-Theth në Veri. Të mësuara me ecjet në terrene të vështira, turistja belge dhe franceze duket se e morën si sfidë kalimin në këtë zonë. Teksa sinjalistika parësore ekziston, ajo e paralajmërimit të rrezikut mbi periudhat në të cilat mund të bëhet ky shteg mungonte.

Guidat lokale tregojnë se kalimi nis vetëm në qershor dhe në maj është ende herët, pasi ka dëborë dhe përgatitja që kërkohet është ajo e një alpinisti. Nëse vajzat do të ishin informuar më mirë me një guidë lokale, apo do të kishin parë një informacion më të detajuar, ndoshta tragjedia do të ish shmangur.

Shqipëria po përjeton një “bum” turistik të të gjithë dimensioneve dhe kjo nuk ka dyshim, por aventurat në disa raste po kthehen në tragjedi edhe për shkak të neglizhencës dhe mungesës së sinjalistikës dhe kjo është e qartë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.

Turistët parapëlqejnë aventurën e pavarur, pa një guidë lokale

Shqipëria, si një vend kaq afër me shtetet europiane, por kaq e ndryshme në shumë aspekte, është kthyer në një pikë tërheqëse për aventurierët. Përpos diversitetit që ofron është ende me një kosto të ulët, të paktën për standardin europian, duke shtuar arsyet se pse ka një fluks kaq të madh në malet, luginat e kanionet tona.

Aventurierët zgjedhin të eksplorojnë të vetëm natyrën dhe ofertën e Shqipërisë, duke i besuar informacionit që marrin në internet. Robert Vushaj, guidë lokale gjermanishtfolës, shprehet se kërkesat për udhërrëfyes janë në rënie.

“Trendi i kërkesës për një guidë nga të huajt mendoj se ka qenë në rënie. Kjo është e pritshme në fakt, pasi me kalimin e kohës destinacionet bëhen më të konsoliduara dhe informacioni në internet është i shumtë.

Ka libra udhërrëfyes dhe harta shumë të mira dhe kjo i nxit turistët që të shkojnë drejt përvojave personale pa guidë”, – pohon ai. Gjithsesi, jo gjithçka mund të gjendet në internet.

Për kanionet dhe lumenjtë, informacioni nuk është i detajuar dhe sado ekspert të jesh në sporte të tilla si rafting, kayak apo ecje në shtratin e një lumi, mosnjohja e pikave të rrezikut mund të të bëjë të rrezikosh jetën. Alma Spathara nga Albanian Rafting Group shprehet se nuk janë të pakta rastet kur hasin në terren turistë të lënduar.

“Në lumenj mund të zhvillohen sporte si rafting dhe kayak, por ka nevojë që këto të zhvillohen me një guidë të specializuar, të trajnuar dhe me përvojë për këtë. Na ka ndodhur shpesh që vijnë turistë të huaj që kanë të gjithë pajisjet dhe futen në lumenjtë tanë për të bërë rafting dhe kayak, duke na thënë që janë ekspertë pasi e zhvillojnë këtë në vendet e tyre si Kroaci, Hungari, Francë, Sllovaki.

Pavarësisht se janë ekspertë, nuk njohin pikat e rrezikut në kanion dhe nuk dinë të lexojnë lumin. Si efekt i kësaj, ne kemi shumë vite që gjejmë nëpër kanione njerëz të braktisur nga kayakët në gjendje të rëndë”, nënvizon ajo.

Mungesa e sinjalistikës i vë në rrezik turistët, nevojë për ndërhyrje

Langarica dhe kanioni i Holtës janë dy nga më të vizituarit në vend, por ndryshe nga Osumi, rreziku në to është më i madh, pasi në rrjedhën e lumit janë ngritur hidrocentrale. Kjo do të thotë që përveç rrezikut të një plote uji të paparashikuar nga reshjet, mund të bëhen edhe shkarkime. Por sinjalistika paralajmëruese për HEC-e mungon.

“Langarica dhe kanioni i Holtës, ndryshe nga Osumi, kanë një rrezik tjetër, sepse kanë hidrocentrale në pjesën e sipërme të tyre. Në këto kanione duhet të ketë sinjalistikë dhe paralajmërim rreziku shumë më të detajuar dhe të dukshëm. Përveç rrezikut të reshjeve ka edhe shkarkime nga HEC-et në momente të caktuara.

Këto paralajmërime mungojnë aktualisht. Nuk ka askund informacion që në këtë lumë sipër ka HEC. Ndaj kthehemi sërish te pajisjet e sigurisë, pasi nëse i ke me vete, ka një shans për të shpëtuar. Nëse nuk i ke, atëherë rrjedha të përplas nëpër shkëmbinj dhe nuk ka asnjë mundësi.

Autoritetet duhet ta marrin seriozisht vendosjen e sinjalistikës. Federata Shqiptare e Rafting dhe Albanian Rafting Group është institucioni më i lartë me 22 vjet përvojë në këtë aspekt dhe i kemi mëshuar pjesës së gudiave dhe sinjalistikës, por nuk na kanë marrë shumë seriozisht. Ndërkohë këtë vit, problemi po bëhet shumë serioz”, – shprehet znj. Spathara.

Edhe në shtigjet për ecje në natyrë, jo kudo ka sinjalistikë dhe informim të plotë. Për z. Vushaj, Veriu është më i plotësuar dhe ndoshta ka nevojë për ndonjë ndërhyje më të vogël, por ndërsa Jugu ndahet me rajone, disa zona mund të krijojnë çoroditje te turisti.

“Nuk është e njëjta gjë në gjithë vendin. Është e ndarë me zona dhe mund të them se Veriu e ka sinjalistikën në standarde shumë të mira, por sërish ka hapësira për përmirësim që të arrijë në nivelet europiane.

Shenjat janë të gjitha të pranishme, por nuk ka tabela informuese mbi rrezikun. Për shembull, një tabelë përmbledhëse që në një shteg të caktuar të tregon periudhat e përshtatshme dhe ato jo të përshtatshme për të hyrë.

Në Jug, nga ana tjetër, janë të mbuluara me sinjalistikë itineraret më të frekuentuar dhe kjo në dijeninë time është bërë falë një bashkëpunimi të GIZ.

Në këtë rajon ekziston edhe mundësia që turistët të ngatërrohen më lehtë, pasi përveç shtigjeve që kanë si synim anën turistike, ka edhe shumë shtigje të tjera që përdoren nga banorët e zonës, pasi janë zona të populluara dhe këto mund të krijojnë çoroditje duke e bërë orientimin të vështirë”, – shprehet ai.

Turizmi i aventurës pa rregulla, duhet të garantohet qëndrueshmëri

Turizmi i aventurës në vend po zhvillohet kuturu, duke mos dhënë një ide të qartë sesa përfitojmë realisht nga zhvillimi i tij apo rritja e flukseve.

Konstatimet e ekspertëve të turizmit tregojnë se turistët që po na vizitojnë (jo të gjithë) duan të shpenzojnë sa më pak të jetë e mundur. Kjo do të thotë që përfitimi i ekonomive lokale është me pikatore. Së pari, kjo ndodh edhe sepse mungojnë rregullat dhe disiplinimi.

Një aventurier nuk mund të qëndrojë ku të dojë, sa të dojë dhe si të dojë në çdo vend të Europës me kamperin e tij, por në Shqipëri mundet. Ajo që kërkohet është balanca mes përfitimit ekonomik nga ky turizëm, por edhe ruajtjes së natyrës.

“Turisti ynë i aventurës vjen me kamperin e tij, me ushqime me vete me kayakun e tij dhe këtu thuajse nuk shpenzon asgjë, por vetëm shfrytëzon natyrën, duke lënë shumë pak të ardhura tek ekonomitë lokale.

Ne hasim shpesh banorë të zonave ku janë kanionet në vend, që kanë investuar në bujtina, në kantina, në vendparkime kamperash dhe çmimet janë modeste, për shembull një vendparkim kamperi për një natë kushton 200 lekë, por të huajt nuk e shohin si alternativë, duke pasur mundësinë të qëndrojnë lirisht kudo.

Mendoj se duhet të gjejmë një strategji që të rrisim të ardhurat nga turizmi i aventurës, por edhe të ruajmë natyrën që kemi. Ndryshe nga disa vite më parë, kur ishim të panjohur, sot jemi në një fazë shumë të mirë dhe duhet të rrisim standardet e sigurisë, të shërbimit, çmimet dhe të vëmë rregulla në mënyrë, që sektori të sjellë të ardhura për banorët, por edhe për ekonominë në përgjithësi.

Duhet të shkojmë drejt turizmit të qëndrueshëm dhe me standarde”, – shprehet znj. Spathara.

Edhe për z. Vushaj, turizmi i aventurës duhet të shërbejë si një shkëndijë për rritjen e ekonomive lokale, ku të angazhohet i gjithë zinxhiri, por sidomos banorët e zonave ku zhvillohet ky lloj turizmi dhe rinia.

Sipas tij, profili i shpenzimeve që bën një turist aventure në vend është miks dhe ashtu siç nuk mungojnë ata që duan të kursejnë në maksimum në këtë përvojë, ka edhe nga ata që shpenzojnë mirë, duke i dhënë përparësi përjetimit maksimal dhe sigurisë.

Në këtë fazë, kur sytë e një pjese të mirë të botës janë kthyer te Shqipëria, duke e marrë në konsideratë si një vend me interes për t’u vizituar, institucionet duhet të vendosin rregullat për të ruajtur balancën mes përfitimit nga ky bum turistik dhe mbrojtjes së natyrës, duke garantuar rritje të qëndrueshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aventurat e rrezikshme të njerëzve shumë të pasur

CNN: Kush e paguan faturën e një fatkeqësie?