Nënsekretarja amerikane, Victoria Nuland i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë t’i ulin tensionet dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Nuland në një postim në Twitter pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak tha se vazhdojnë të mbështesin planin trepikësh të BE-së, si mënyra më e mirë për zgjedhjen e krizës.
“Me kënaqësi mirëpres mikun e vjetër, Miroslav Lajcak. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zvogëlojnë tensionet menjëherë dhe të fillojnë zbatimin e angazhimeve të Ohrit. Ne vazhdojmë të mbështesim planin trepikësh të BE-së si mënyra më e mirë për zgjidhjen e krizës”, shkruan ajo.
Për takimin me Nuland, ka shkruar edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak.
“Kisha një bisedë të mirë me nënsekretaren Victoria Nuland. Kemi ndarë të njëjtin vlerësim rreth situatën në veri të Kosovës dhe rrugën për të dalë nga kjo situatë. U pajtuam që e një rëndësie të menjëhershme është de-eskalimi dhe rikthimi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Situata në komunat në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar prej datës 26 maj, ku serbët prej ditësh vazhdojnë të kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të hyjnë në ndërtesat komunale. Tensionet u përshkallëzuan në datën 29 maj, kur trupat e KFOR u përplasën fizikisht me protestuesit serbë. Situata u përkeqësua edhe më tej më 14 qershor pas arrestimit të tre policëve të Kosovës në veri të vendit nga Serbia. Efektivët kanë dalë para gjykatës serbe dhe janë lënë në paraburgim për 30 ditë. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas arrestimit të tre policëve të njoftoi për një takim urgjent në Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, për zgjidhjen e krizës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e caktuar nga Borrell, ndërsa kryeministri i Kosovës është akoma i pavendosur. BE ka bërë thirrje që të dyja palët të marrin pjesë në takimin në Brukse ose do të përballen me pasoja.