MENU
klinika

Nesër prezantojnë platformat

Nga Alfred Peza tek Helidon Haliti, 4 kandidatët që kualifikuan për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH

12.06.2023 - 18:58

Këtë të hënë anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për shqyrtimin e dokumenteve të paraqitura nga aplikantët të cilët shprehën interes për të drejtuar median e vetme publike në vend.

9 nga 10 anëtarë ishin të pranishëm në mbledhje morën nën shqyrtim dosjet e 6 kandidatëve të cilët u paraqitën në garë në përgjigjie të thirrjes së publikuar.

Konkretisht kandidatët janë: Alfred Peza, Engjëllush Musai, Enrik Mehmeti, Helidon Haliti, Laureta Roshi dhe Viron Roboçi.

Anëtarët e Këshillit Drejtues votuan në mënyrë të fshehtë lidhur me vlerësimin për dosjen e secilit kandidat.

Komisioni i votimit përbëhej nga 3 anëtarë, Milena Selimi, Edmond Tullumani dhe Ëngjëll Ndocaj të cilët lexuan edhe rezultatet e votimit. Për pasojë për fazën e mëtejshme të konkurrimit u kualifikuan Alfred Peza, Enrik Mehmet, Helidon Haliti dhe Laureta Roshi.

Mbledhja e ardhshme e Këshillit Drejtues do të mbahet ditën e nesërme ku pasi të dëgjohen platformat e kandidatëve të kualifikuar për garën më pas do të kryhet votimi i fshehtë për të zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së.

Gara për zgjedhjen e kreut të ri të RTSH-së u hap në 31 maj, dhe afati i lënë për personat që të paraqisnin aplikimet e tyre ishte 10 ditë.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i këtij televizioni, Enkelejd Joti dha dorëheqjen nga posti i tij më 13 prill të këtij viti. Përmes një shkrese drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së, Joti dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti i cili mbante që prej vitit 2021. Dorëheqja e tij erdhi pasi më pas u emërua në postin e  zv.Ministrit të Mbrojtjes.