Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka reaguar pas vendimit të gjykatës serbe për të liruar nga burgu 3 policët e Kosovës. Në një postim në Twitter, ai tha se lirimi i tre policëve nga Serbia erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së tij për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Orban shprehet se Vuçiçi e ka njoftuar se do t’i lirojë policët.
“Presidenti serb Aleksandër Vuçiç sapo më njoftoi se në përputhje me kërkesën e bërë në takimin tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë”,shkroi Orban.
Ai tha se ky vendim është dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes Hungarisë dhe Serbisë.
“E vlerësojmë shumë hapin e Presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilin ai e mori në një periudhë sfidash serioze dhe vendim i cili është një dëshmi e qartë e bashkëpunimit strategjik mes vendeve tona dhe e përkushtimit tonë të ndërsjellë për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”, shkroi Orban.
Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe. Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.