MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

PD, si kazino politike

02.06.2023 - 11:51

Partia Demokratike, është kthyer si një kazino politike, ku mund të dorëhiqesh, mund të ikësh “përkohosisht apo përfundimisht”, dhe mund të kthehesh sa herë të duash ti, kur ndërron mëndje. Apo më mirë ta thuash “si në kazino, kur mbush xhepat me para, dhe mund të kthehesh sërish të luash bixhoz”. Kështu bëri Berisha, atë gjë po bën edhe Basha. Atë do të bëjë edhe Alibeaj, dhe kushdo tjetër që do të “mandatohet” nga kryetarët, ish-kryetarët, grupet e “rithemelimit” etj.

Gjendja e krijuar brënda asaj partie, u ka lënë shtegun abuzimeve dhe hamendësive, debateve dhe përplasjeve klanore, por kurrë një debati apo konkurrence të ndershme që do ti paraprinte riformatimit të asaj force politike, për ta kthyer në forcë serioze politike. Iku Saliu, erdhi Lulzimi, erdhi Saliu, iku Lulzimi, humbi Saliu, u rikthye Lulzimi. Një mish-mash, që po rëndon në kurrizin dhe interesat e demokratëve.

Aq më keq akoma, kur Berisha pretendon se “PD përfaqëson opozitarizmin në Shqipëri”. Dhe e dini pse ? Sepse edhe pse humbi sërish zgjedhjet, del çdo të premte me deklarata mediatike, lexon akuza dhe denoncime, jep pretenca dhe vendime “gjykate” ndaj kundërshtarit, fton demokratët ti bashkohen atij dhe jo “Lulbravës së Edi Ramës”, dhe deklaron se “nuk njeh votimet e 14 Majit”. Por papritur u rikthye edhe Lulzim Basha. Ai ka nisur nga takimet me “rininë e PD”.

Po mban takime të hapura, dhe po u premton atyre se “unë dhe vetëm unë, dhe jo Berisha “non-grata” mund ta sjell PD në pushtet”. Luli i ka hyrë sërish rrugëtimit të vështirë për tu rikthyer në krye të partisë. Natyrisht asgjë nuk do të arrijë, në katrahurën e momentit.

E ndarë dhe katranosur, ajo parti vetëm në pushtet nuk mund të vijë kurrë, përballë një kryeministri si Edi Rama, që fiton edhe kur ndonjëri mendon se “kësaj here iku nga pushteti”. Partia Socialiste padyshim duhej të kishte përballë saj politikisht, një opozitë reale, të përgjegjshme, të denjë dhe të drejtë, e cila do të ishte nevojë imediate për demokracinë e brishtë në Shqipëri.

Por realisht, përballë një PS të rritur dhe maturuar, përballë një PS që shton votat e saj në çdo palë zgjedhje, qëndron një parti e rrënuar, e kthyer në kazino politike. Dhe kjo fatkeqësi, ka gjasa të zgjasë shumë në kohë, derisa Berisha dhe Basha të gjejnë jo rrugën e bashkëpunimit dhe kompromisit, por shtegun e largimit përfundimtar nga ajo parti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN