Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.
Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di…kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.
Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiç ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë- Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.