MENU
klinika

Kategoritë që përfitojnë

Përllogaritja e pensioneve së shpejti do bëhet në qendër

24.06.2023 - 17:05

Ata që janë duke u përgatitur të dalin në pension nuk do t’u llogaritet e caktohet masa e pensionit në rrethin ku jetojnë, por në qendër. Kjo paralajmërohet në nismën ligjore të depozituar në Kuvend. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të krijojë një qendër unike për përllogaritjen dhe caktimin e pensioneve, duke e reduktuar gradualisht veprimtarinë e drejtorive rajonale. Ky zhvillim paralajmërohet në ndryshimet e fundit që janë bërë në ligjin për sigurimet shoqërore, ku përjashtohen nga pagesa e sigurimeve pensionistët e vetëpunësuar. Në relacionin e nismës evidentohet se përllogaritja dhe caktimi i pensioneve në një qendër të vetme dhe jo nëpër qendrat rajonale, është një eksperiencë që zbatohet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria, vijon relacioni, i ka krijuar kushtet për të ndërmarrë një lëvizje të tillë, duke qenë se ka grumbulluar materialin arkivor. “Caktimi dhe llogaritja e pensioneve në një qendër të vetme ka disa avantazhe në administrim, cilësi, kontrollin e afateve si dhe zbatimin unik të ligjit” evidentohet më tej në relacion. Një ndryshim tjetër i ligjit është ai që lidhet me pensionet e ngrira në banka në rastet kur përfituesi ndërron jetë. Shtesa që propozohet ka për qëllim dhënien e së drejtës organeve të sigurimeve shoqërore të nxjerrin titull ekzekutiv për të bërë të mundur kthimin në llogaritë e sigurimeve shoqërore të kësteve mujore të pensioneve që janë gjeneruar dhe kaluar padrejtësisht në llogarinë bankare të pensionistit. Bazuar në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, ISSH-ja gjeneron dhe xhiron pensionin mujor në llogarinë bankare dhe në degën e bankës që ka zgjedhur vetë pensionisti, për çdo muaj.

Kreditimi
Ndërkohë, kreditimi i pensionit ka limitin deri në gjashtë muaj. Çdo 6 muaj pensionisti duhet të konfirmojë në bankë rregullshmërinë e pagesës së përfitimeve, në këtë mënyrë edhe qenien e tij në jetë. Nga praktika e përditshme kanë rezultuar raste, sidomos ndër pensionistët që janë rezidentë jashtë shtetit, se kur pensionisti ka ndërruar jetë çregjistrimi i tij në Regjistrin e Gjendjes Civile është bërë me vonesë, ndërkohë që pensioni ka vazhduar t’i kreditohet në llogarinë e tij bankare edhe pas ndarjes nga jeta. Në shumicën e rasteve, këstet e gjeneruara për pagesë, për llogari të pensionistit, nuk janë tërhequr dhe kanë mbetur në llogarinë e tij bankare, janë bllokuar për t’u bërë të pa pagueshme, por nuk mund të kthehen në llogaritë e fondit me kërkesë zyrtare të organeve të sigurimeve shoqërore. Në këto raste, nisur nga statusi ligjor i llogarive bankare individuale, për kthimin e shumave, bankat kërkojnë një vendim gjykate. Për zgjidhjen e kësaj problematike për këto raste, është parashikuar shtesa ligjore që i mundëson institutit që të nxjerrë një titull ekzekutiv për bankat që i mundëson tërheqjen e parave.

Ligji për strehimin social
Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka folur për ndryshimet ligjore në ligjin e strehimit social, ndërsa theksoi se do t’i hapet rrugë një seri programesh dhe lehtësirash për kategori të ndryshme të administratës publike, pjesë e të cilave do të jenë edhe profesionistët e shëndetësisë. Sipas saj, mjekët e rinj deri në 38 vjeç, që kanë përfunduar periudhën e provës në institucionin e punësuar, nuk posedojnë një banesë të tyren ose kanë një banesë të vogël, janë pjesë e kategorive që përfitojnë kredi të buta për blerjen e banesës, së bashku me përfituesit e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” si dhe punonjës të administratës publike që plotësojnë kriteret e parashikuara në këtë ligj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Jo domosdoshmërisht një popullsi e re nënkupton ekonomi të begatë

A kumton shkatërrim të ekonomisë plakja e popullsisë në SHBA?

Kompensim shtesë për ata që përfitojnë pension invaliditeti

Afatet për tërheqjen e shpërblimit me rastin e festave të fundvitit