Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka urdhëruar dje pezullimin e licencës së biznesit të grupit Klan Kosova, me një arsyetim shtazarak. Sipas qeverisë, dy aksionerët e rinj të biznesit në certifikatën e lindjes që kanë dorëzuar, e kanë të shkruar vendlindjen Pejë, Serb,i dhe Gjakovë, Serbi. Dhe sipas tyre, meqë Kosova është shtet iI pavarur, kjo është dhe shkelje e ligjit kushtetues.
Nuk ka nevojë të komentosh arsyen, kur e di shkakun e vërtetë të këtij veprimi, por nuk mund të mos shqetësohesh kur kupton dhe se sa pak vrasin mendjen të gjejnë ndonjë arsye të besueshme për të sulmuar një medie që nuk u pëlqen.
Madje aq shpejt e kishte bërë Ministria shkresën, sa dhe referimin në ligj e kishte bërë gabim. Sot kërkoi ndjesë dhe gjeti një nen tjetër përmes të cilit e quan të paligjshëm këtë deklarim.
Pronarët e biznesit kanë deklaruar një dokument, nuk kanë deklaruar dëshirat e tyre se kujt shteti i përkiste vendlindja e tyre kur kanë lindur ata.
Albin Kurti, i cili nuk i përket as Kosovës formalisht si origjinë, por një fshati të Malit të Zi, me këtë kriter nuk duhet të lejohej të bënte politikë e për më tepër të përfaqësonte shtetin e ri të Kosovës, të cilin e ka njohur vetëm kur është bërë kryeministër.
Por nuk është se ja vlen të diskutojmë arsyen që kanë gjetur, por arsyen përse Kurti po krijon një konflikt me shtypin në Kosovë.
Arsyeja është e qartë. Ai po humbet betejën në opinionin publik si demagog, dhe po kërkon që të forcojë debatin nacionalist në vend, me qëllim që të gjejë armiq të brendshëm dhe të jashtëm në betejën për të mbrojtur izolimin e Kosovës dhe kundërvënien e faktorit ndërkombëtar.
Duke gjetur një arsye ‘patriotike’ tek certifikata e lindjes së dy biznesmenëve shqiptarë, ai po përpiqet të ndajë shoqërinë në fanatikë pro tij, dhe të tjerë kundër, për të bërë të besueshëm paranojën e tij se po lufton me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm për të shpëtuar Kosovën.
Natyrisht që nuk ka asnjë shans të mbyllë Klan Kosovën. As Milosheviqi nuk e mbylli dot shtypin e Kosovës për dhjetë vite të rezistencës së Kosovës. As ai nuk mundi dot të ndalojë shtypin kundër tij në Kosovë dhe për më tepër të frikësojë gazetarët, edhe pse ishte i gatshëm të kishte gjithë botën kundër.
Albin Kurti nuk ka asnjë shans. As të afrojë policinë tek dera e televizionit. Por ama ka shansin të turpërohet siç po turpërohet me urdhëra të tillë mesjetar, që do ta shoqërojnë gjatë si njollë turpi historinë e tij.
Ai do të frikësojë shtypin në Kosovë, ose së paku ta pozicionojë kundër tij, për ta zhvlerësuar si shtyp i financuar nga Serbia, një demagogji e vjetër e çdo diktatori që nuk ja del dot të ballafaqohet me të vërtetat e ditës. E di që nuk ja del dot më ta ketë shtypin në anën e vet, me marrëzitë që bën, dhe kërkon të paraqitet si viktimë e shtypit që “financohet” nga Serbia apo armiqtë evropianë dhe amerikanë.
Problemi që ai ka është se nuk e kupton që nuk frikëson dot askënd. Beteja e tij për të frikësuar “armiqtë” e tij është nga më qesharaket dhe më të rrezikshmet për Kosovën.
Tentoi të frikësojë serbët në Veri, dhe përfundoi duke mbrojtur një kryetar komune që ka dy javë pa bërë dush në emër të patriotizmit, tentoi të frikësojë KFOR me trazira dhe përfundoi në mëshirë të KFOR, tentoi të frikësojë partnerët perëndimor, BE dhe SHBA, dhe tani ka përfunduar duke ju lutur t’i lirojnë policët që i ka rrëmbyer Serbia. Tani po tenton të frikësojë shtypin e do përfundojë duke ju lutur shtypit të ketë mëshirë kur të përshkruajë fundin e tij politik.
E vetmja vlerë që ka kjo copa e letrës, është që e afron dhe më shumë Kurtin me Vuçiqin, i cili ndryshe nga Kurti jo vetëm i frikëson, por dhe i nënshtron mediat në Serbi. Meqë e ka ëndërr t’i ngjajë Vuçiqit, të paktën të mësojë hilet e tij, se zanatin duket që se mëson dot.