MENU
klinika

"Rama e Manja të dënoheshin"

Përsëritje të zgjedhjeve në Rrogozhinë, Berisha: Gjykata, vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën e pavlefshme

16.06.2023 - 12:55

Ish-kryeministrit Sali Berisha në një konferencë të përbashkët për mediat, theksoi se gjykata duhet të kishte marrë si të pandehur Rama, Veliaj dhe Manja sa i takon rezultateve të Rrogozhinës.

Berisha tha se në çdo bashki ka pasur farsë elektorale.

“Çdo ditë që kalon, farsa elektorale nxin edhe më shumë, bëhet më e zezë. Hapjet e dokumenteve dëshmojnë se me 14 maj, shqiptarët përjetuan një farsë të tillë që mund të mbahet mend vetëm në kohërat e diktaturës. Në mënyrë antiligjore po sillen edhe organet e trajtimit të ankesave. Flamurin e lakejve të regjimit e mban si gjithnjë drejtuesi i KAS, por paralel ecin edhe institucionet e tjera. Dje, në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit. Pra, para çdo gjykatësi me minimumin e integritetit profesional, ajo shpallej e pavlefshme. Dhe tani gjykata, në një vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën të pavlefshme për një qendër votimi.
A ka logjik njerëzore të dënosh 10 mijë, 15 mijë, sa mund të jenë zgjedhësit e Rrogozhinës, për manipulimin? Në vend që gjykata të kërkonte dënimin si kriminel elektoral të Ulsi Manjës, Erion Veliajt dhe drejtorit të burgut të Rrogozhinës, që stisën qendrën e votimit në burg për të ndryshuar rezultatin.
Skandaloz është votimi i dokumentuar në Kuçovë. Ju do shihni aty të gjithë mekanizmat e manipulimit të votës brenda qendrës së votimit. Ju do shihni përpjekjet për të fshehur nga KAS këto mekanizma.
Kështu janë pjesa dërrmuese e të gjitha bashkive për të cilat janë paraqitur ankesat. Pra, edhe njëherë me 14 maj nuk kishte zgjedhje, por farsë zgjedhore.”, tha Berisha.