Në Serinë A, ashtu sikurse në çdo kampionat të Europës çdo pozicion që arrin në fund të një kampionati kompensohet me para dhe normalisht që sa më lart të jesh, aq më shumë përfiton. Federata Italiane e Futbollit, e cila është organizatorja e aktivitetit, çdo vit me anë të sponsorizimeve që arrin të thithë krijon një fond, që ndahet në përqindje të ndryshme, nga vendi i parë e deri në të fundit.
Për sezonin 2022-2023, shuma e grumbulluar ka qenë 122 milionë euro, vetëm sponsorizime dhe sipas kësaj, ajo shpërndahet siç tregon në tabelë, ku Napoli kampion përfiton 19 milionë euro, Lacio e vendit të dytë 16, Interi 13.7, Milani 11.4, Juventusi i vendit të shtatë 6.9 milionë euro e kështu me radhë deri te 400 mijë eurot e vetme të Sampdorias së vendit të fundit. Gjithsesi, kësaj premioje të veçantë të federatës, u shtoheh edhe 25.5 milionë euro të tjera për secilën prej 20 skuadrave, të cilët vijnë nga gjysma e buxhetit të mbledhur nga të drejtat televizive (pra Napoli deri në këtë hap shkon në 44.5 milionë euro, Interi 41.5 milionë e kështu me radhë).
Ndërsa më pas, në varësi të audiencës së mbledhur gjatë të gjithë sezonit, pasi të mbyllen përllogaritjet totale, vjen edhe një grusht tjetër me miliona, sërish nga të drejtat televizive, që mund të çojnë për shembull fitimet vjetore të Napolit deri në 60-65 milionë euro.