MENU
klinika

Analiza

Problemi më i madh i Putinit s’është veprimi, por mosveprimi…

01.06.2023 - 08:30

Në Rusi nuk po ndodh asgjë. Të paktën kjo është përshtypja që është munduar të diktojë Vladimir Putin gjatë 6 muajve të fundit. Në njëfarë mase, presidenti ka qenë jashtëzakonisht aktiv, duke mikromenaxhuar fshehtazi luftën në Ukrainë dhe duke pretenduar në publik se po merret me çështje rutinë, nga takimet në lidhje me çështjet ekonomike deri në përurimin e një linje tramvaji në qytetin e pushtuar ukrainas të Mariupolit.

Megjithatë, nuk ka asnjë nismë presidenciale në lidhje me përshtatjen e vendit me realitetin e ri të kohës së luftës dhe gjithçka që përfshin ajo. Putini i ka qëndruar me kokëfortësi kësaj qasjeje, me gjithë sulmet me dronë mbi Kremlin, sulmet e ashpra publike të kreut të ushtrisë mercenare Vargner, Jevgeni Prigozhin kundër Ministrisë ruse të Mbrojtjes, madje edhe kundërofensivës së afërt të Ukrainës.

Ai preferon të japë leksione mbi historinë dhe të bëjë vlerësime optimiste për perspektivat ekonomike të Rusisë, dhe ato pesimiste të Perëndimit. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se në Rusi nuk po ndodh asgjë. Përkundrazi, ajo që po ndodh ka shumë më pak lidhje me planet apo interesat strategjike të presidentit, sesa me interesat e korporatave të departamenteve dhe figurave individuale.

Ajo që po ndodh është kryesisht një kundërpërgjigje ndaj përkeqësimit të kushteve me të cilat po përballet Rusia. Për shembull, marrim dixhitalizimin e sistemit rus për lëshimin e njoftimeve për rekrutimin ushtarak, një lëvizje kjo e detyruar nga vështirësitë që rrethojnë këtë proces në mesin e një lufte që nuk po shkon sipas planit.

Apo mënyrën se si është thelluar shtypja, në një përpjekje për vetëruajtje nga ana e regjimit aktual dhe në mesin e rreziqeve gjeopolitike në rritje të shpejtë dhe frikës nga humbja. Inercia shtypëse dhe vetëlavdërimi nga institucionet kryesore si FSB dhe Ministritë e Mbrojtjes dhe Financave kanë nxitur marrjen e vendimeve të kohëve të fundit, përfshirë kthimin e ideologjisë.

Ministri rus i Drejtësisë, Konstantin Çuiçenko, ka folur hapur për mundësinë e prezantimit të një ideologjie të re zyrtare që do të shtrihet në arsim, kinema, teatër dhe letërsi. Ky proces ka pushuar prej kohësh së qeni nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Putinit, dhe tani po zhvillohet në mënyrë të pavarur prej tij, ndonëse me pëlqimin e tij pasiv.

Këtu edhe në debate të tjera të rëndësishme, mungon zëri i Putinit. A duhet të mbyllen kufijtë e Rusisë? A duhet të kufizohen të drejtat e atyre që janë larguar tashmë nga vendi? Kush do të përjashtohet nga mobilizimi? Si do të ndëshkohen ata që etiketohen si “agjentë të huaj” nga ana e shtetit? Çfarë duhet bërë me Prigozhin?

Si duhet t’u përgjigjet Kremlini incidenteve si sulmet me dron dhe përpjekjet për të vrarë “ultrapatriotët”? Qëndrimet e parlamentarëve, liderëve të partive, ministrave të kabinetit, blogerëve ushtarakë dhe shërbimeve të sigurisë për këto dhe çështje të tjera janë që të gjitha të njohura. Megjithatë, Putini nuk thotë asgjë në publik. Ai ndërhyn vetëm për të ndërmarrë hapa të tillë si tërheqja nga qyteti kryesor ukrainas Kherson, pezullimi i pjesëmarrjes së Rusisë në marrëveshjen e re bërthamore START, ose tërheqja nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë.

Edhe në fjalimin e tij të shumëpritur në Asamblenë Federale, ai vetëm sa renditi masat e marra tashmë nga qeveria. Sot, Putin është pothuajse i vetmi njeri në Rusi që nuk është gjithnjë e më i angazhuar në politikë, në krahasim me ish-presidentin Dimitri Medvedev, kryetari i Dumës së Shtetit Vjaçesllav Volodin dhe kreu i Këshillit të Sigurimit Nikolai Patrushev tek Prigozhin, blogerët e luftës dhe drejtuesit e televizionit.

Duket sikur presidenti ka hequr dorë nga jeta publike, duke iu përkushtuar çështjeve sekrete ushtarake dhe gjeopolitike, detajet e të cilave janë të njohura nga pak njerëz. Kjo nuk është një shenjë frike apo dobësie. Përkundrazi, ajo pasqyron “Kompleksin e Mesias” (Shpëtimtarit) në rritje tek Putin.

Aktualisht, të gjitha shpresat dhe planet e tij politike varen nga ndryshimet e jashtme që janë jashtë kontrollit të tij. dhe Putin nuk zotëron instrumente apo burime me të cilat mund ta ndryshojë situatën në favor të tij. E megjithatë, ai beson se bota do të ndryshojë dhe do t’i garantojë atij kapitullimin e Kievit.

Plani i Putinit është të presë atë që ai e sheh si transformim të pashmangshëm të Perëndimit dhe Ukrainës. Çdo frikë nga një kundërsulm ukrainas, i ka lënë vendin bindjes se përtej pengesave të vogla që ai është i përgatitur të tolerojë, shumë pak gjëra do të ndryshojnë në fushën e betejës.

Kremlini bazohet te llogaritja se në mungesë të një përparimi ushtarak, elita e Ukrainës do të përçahet, duke çuar në shfaqjen e një “partie të paqes” (pra që kërkon kapitullimi), ndërsa në Perëndim, ndarjet e brendshme do të imponojnë reduktimin e mbështetjes ushtarake dhe politike për Kievin.

Shpresat e Putinit nuk mund të hidhen poshtë si tërësisht të pabaza. Por problemi i tij është se kjo qasje është tashmë një anatemë për klasën politike ruse që është shumë e shqetësuar për atë që rezervon e ardhmja. Me gjithë besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e saj, ajo ka evoluar në mënyrë dramatike gjatë luftës kundër Ukrainës.

Tani elitat e Rusisë mund të shohin tek mosveprimi ndjenjën e disfatizmit. Dhe e gjithë kjo krijon kushtet e rritjes së ambicieve politike të aktorëve para-shtetërorë. Pavarësisht reputacionit të tyre si vegla të Kremlinit, ata po grumbullojnë gradualisht kapital politik, dhe një ditë mund t’u soset durimi me regjimin dhe ta sfidojnë atë.

Putini e ka aktualisht të vështirë të shpjegojë se çfarë pret saktësisht nga lufta që nisi vitin e kaluar. Në muajt e parë të luftës, shumë njerëz vunë re se si “ultrapatriotët” pro-luftës, dikur në periferinë e skenës politike, arritën të dominonin hapësirën e informacionit.

Sot, radikalët e rremë, si Medvedev, Volodin dhe Patrushev, po e humbasin vendin e tyre në politikën ruse për shkak të patriotëve të zemëruar, përfshirë Prigozhin, ish-komandantin e forcave separatiste në Donbas, Igor Strelkov, dhe blogerëve të luftës.

Të parët duken si oportunistë dhe “gjeneralë kolltuku”, ndërsa të dytët, duke folur nga fronti, ngjajnë shumë më tepër më afër me të vërtetën. Regjimi nuk është ende nën kërcënim, të paktën për sa kohë që vlerësimet ndaj Putinit në sondazhe mbeten të qëndrueshme.

Përveç kësaj, levat e pushtetit janë ende plotësisht nën kontrollin e tij. Megjithatë, paraliza e tij publike dhe refuzimi për të marrë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve më emergjente me të cilat përballet Rusia, nuk mund të mos e bëjnë atë dhe oborrtarët e tij politikisht të parëndësishëm dhe të krijojnë një vakum që do të mbushet nga ultra-patriotët.

Mund të vijë dita kur Putini do ta gjejë veten të varur nga një grup dikur i padëmshëm, por që është bërë së fundmi i rrezikshëm pikërisht për shkak të paqartësisë dhe mosveprimit të presidentit rus.