Kryeministri Edi Rama njoftoi dje në një konferencë për mediat anulimin e mbledhjes së qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës që do të mbahej ditën e sotme në Gjakovë.
Por në Kosovë gjithçka ka qenë gati për zhvillimin e mbledhjes. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi nga Gjakova ku pritej të zhvillohej takimi, që do të pasohej më pas me një konferencë të përbashkët për gazetarët nga kryeministrat Rama-Kurti.
Qeveria e Kosovës tha mbrëmë pas anulimit të mbledhjes së qeverive shqiptare, se është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.
Ajo fajësoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për anulimin e mbledhjes ndërqeveritare duke thënë se takimet bilaterale që ka kërkuar Rama do të mund t’i zhvillonin një ditë tjetër.
Rama u shpreh në konferencën për gazetarët mbrëmjen e kaluar, se duke marrë parasysh rrethanat e tensionuara kishte propozuar një takim më të reduktuar, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.