MENU
klinika

32-vjetori i Partisë Socialiste

Rama: Kundërshtarët i kemi mundur 8 herë! Duhet të formojmë një komunitet të ri politik

12.06.2023 - 20:21

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka mbajtur i pari fjalën hapëse në ceremoninë e organizuar në ditën e themelimit të kësaj force politike. Rama ka vlerësuar arritjet e Partisë Socialiste gjatë drejtimit nga ai, të cilat u kurorëzuan me një fitore të thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit, teksa qindra zyrtarë socialistë nga Shkodra në Sarandë e kanë duartrokitur nga ulëset në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, aty ku kjo forcë politike u themelua 32 vite më parë.

Rama ka falenderuar të gjithë ata qytetarë që votuan duke i besuar Partisë Socailiste në zgjedhjet vendore, por edhe ata që nuk morën pjesë në votime, bojkot që Rama e sheh si mesazh për refuzimin e dyshes Berisha-Meta, apo siç i quajti ai, “dyshja e fantazmave”.

Megjithatë, Rama u shpreh se socialistët nuk duhet të dehen nga fitoret e njëpasnjëshme në zgjedhje, teksa shtoi se është koha që Partia Socialiste të nisë një fazë të re reflektimi me një projekt të ri politik dhe organizativ për të formuar kështu një komunitet të ri politik.

Pjesë nga fjala e Edi Ramës në 32-vjetorin e PS:

Ne e kremtojmë 32 vjetorin e Partisë Socialiste me fitoren spektakolare në zgjedhje. Sado ta përsëris fjalën faleminderit, s’do të jetë kurrë mjaft për besimin, mbështetjen dhe energjinë që gratë, burrat, vajzat dhe djemtë e këtij vendi na dhanë që nga Shkodra demokratike deri te Vlora socialiste.

Tropojanët panë gjykuan dhe votuan për herë të parë për veten e tyre, shtëpinë e tyre, lagjen e tyre dhe për potencialin e jashtëzakonshëm të vendit të tyre, votuan për qendrat shëndetësore, pastërtinë, për një Tropojë të rilindur pas 1001 vështirësive. Kështu njësoj votuan edhe shkodranët, dibranët, kuksianët. Të majtë e të djathtë që vendosën të ecin përpara, duke i lënë shumë mbrapa hijet kërcënuese të së shkuarës. Kjo falë edhe shumë demokratëve që e braktisën koalicionin e hijeve duke mos shkuar të votojnë. Dy figura njëra më e kapur se tjetra, si i mbyturi i kapur pas fijes së barit, nga hallet e tyre me drejtësinë dhe Amerikën.

Ne prekëm kuotën e 800 mijë votave, për herë të parë jemi forcë e parë në 94% të këshillëve bashkiakë. Kundërshtarët tanë prekën kuotën më të ulët. Ata u përbetuan përpara pasqyrës së mbrëmjes për përmbysjen e madhe, dhe për të tetën herë rrjesht e nisën mëngjesin përmbys. Dhe si ngaherë pas shpartallimit ia morën atij avazi të grabitjes së zgjedhjeve nga bandat e krimit. Do të mjaftonte të shkonin vetëm një ditë në Kamëz për ta parë se çfarë ndryshoi. Komuniteti u bashkuar rreth kryebashkiakut të ri, si një familje e madhe nga e cila banorët e Kamzës nuk duan të dalin më. Në Kamëz fitorja nominale është e Rakipit dhe PS.

Në rrugën e re të rilindjes urbane kemi krijuar shembuj të mirë suksesi. Falë edhe lidershipit të një sërë kryebashkiakësh të aftë dhe pasionantë, ne e kemi thelluar diferencën me kundërshtarët, të cilët, siç e dini të gjithë në 30 vjet nuk kanë krijuar një histori të vetme suksesi në një bashki të vetme të Shqipërisë. Falenderoj edhe njëherë kryebashkiakët tanë. Rezultati i bujshëm i 14 majit është manifestimi i një pritshmërie të madhe të njerëzve. Ne duhet të ndjehemi njerëzit më të nderuar dhe më të privilegjuar në botë, që këtë pritshmëri të madhe qytetarët e Shqipërisë e lidhin vetëm me ne. Paçim mënçurinë që ta kuptojmë si duhet dhe shumë largqoftë të mos gënjehemi me madhështinë e hartës së 14 majit.

Sot që na e kanë dhënë tërë këtë besim, nuk do i kërkojmë shuplakës së tyre nesër kur t’i kërkojmë të na besojnë përsëri. Ndaj duhet të projektojmë të ardhmen, duke e nisur reflektimin nga vetja. Siç kemi bërë përherë, sot në kontekstin e një kohe të re jo vetëm për Shqipërinë por për mbarë botën, kemi nevojë për një fillim të ri, një projekt të ri politik dhe orgainzativ. Duhet të imagjinojmë dhe të hapim rrugë të reja për të bashkuar në një komunitet të ri politik, anëtarët, simpatizantët por edhe qytetarët. Pa i parë nga ngjyra apo drejtimi ku hedhin sytë. Por duke i parë aty ku së bashku morën një vendim pa u marrë vesh me njëri tjetrtin, vendimin për të ecur vetëm përpara. Të mos e lejojmë të tretet kjo frymë e 14 majit, sepse është një frymë sa e jashtëzakonshme aq edhe e rrezikshme. Sepse prej saj vjen mesazhi për një komunitet të ri politik.

Mandati i 14 majit duhet të jetë një mandat që duhet ta përfundojë rrugën e gjatë të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën. Sa e sa njerëz na kanë votuar e nuk e kanë akoma çertifikatën e tokës që punojnë. U kemi vënë në dispozicion bashkive një ligj të ri për të gjithë ata fermerë që njohin kufijtë e tokave të tyre, por nuk njohin ligjin 7501 për ta marrë çertifikatën pa asnjë pritje. Sa çertifikata kemi dhënë sot? Me gishtat e dorës.