Shtatorja e Shën Mehillit, me autor Kolë Idromenon rikthehet e restauruar prej DRTK Shkodër, në Katedralen e Shkodrës. Kjo shtatore është një vepër tejet e veçantë në aspektin e vlerave unikale fetare, kulturore e shoqërore.
Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi, kanë bërë të mundur nxjerrjen në dritë të kësaj vepre të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi si pjesë e fondit të pasur të trashëgimisë kulturore të Kolë Idromenos.
Shën Mikeli, ose siç njihet në vendin tonë si Shën Mhilli, është një ndër kryeengjëjt e krishtërimit.
Në interpretimin biblik ai njihet si gjeneral i ushtrisë së Zotit dhe engjëlli që dëboi, Luçiferin, një engjëll mëkatar. Që në shek. IV kisha nisi ta njohë si një engjëll të shërimit, dhe pastaj me kalimin e kohës si një mbrojtës kundër forcave të së keqes. Ai vjen i interpretuar gjithmonë në skenat biblike me një peshore ose me një shpatë në dorë duke vrarë djallin.