MENU
klinika

Ktheu lokalin në sallë lojërash fati

Shpallet në kërkim 45-vjeçari, pjesë e grupit të Ervis Martinajt

21.06.2023 - 09:35

Artan Sula, (Jani Përskura) është shpallur në kërkim nga policia e Kurbinit pasi dyshohet se organizonte lojëra fati në një lokal në pronësi të tij në Mamurras. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 45-vjeçari është pjesë e grupit të Ervis Martinajt.

Në kuadër të operacionit “Basti i fundit”, janë ushtruar kontrolle në ambientet e një lokali jashtë funksionit, në katin e parë të një pallati në lagjen “Drita”, ku dyshohej se organizoheshin lojëra fati me kompjutera, në kundërshtim me ligjin.

Sipas policisë nga kontrollet janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 kompjutera që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

‘Gjatë 2 fazave të mëparshme të operacionit “Basti i fundit”, janë vënë në pranga 3 shtetas, janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe janë sekuestruar 13 kompjutera, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me çipsa, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.’- njofton policia.