Shqipëria vuan, por triumfon me meritë ndaj Moldavisë dhe merr tre pikët e para në rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe, Europianit Gjermani 2024. Ashtu siç pritej, sfida rezultoi shumë e komplikuar për kuqezinjtë e Sylvinhos, që vuajtën jo pak ngjeshjen e moldavëve në mbrojtje, teksa në pjesën e parë u ndalën edhe nga traversa, që i mohoi një gol spektakolar Cikalleshit.
Megjithatë askush nuk mund të ndalte Jasir Asanin në fillim të pjesës të dytë, kur lëshoi një goditje spektakolare me të majtën nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetën e portës moldave, duke ndezur festën kuqezi në stadium.
Një përqafim me trajnerin Sylvinho, i cili i besoi dhe e solli në Kombëtare nga Koreja e Jugut, teksa sulmuesi ia shpërbleu më së miri, me të dytën ndeshje si titullar dhe golin e parë me fanellën kuqezi.
Avantazhi vë në pozita komode kuqezinjtë, që menaxhojnë mirë ndeshjen dhe madje gjejnë edhe golin e dytë, këtë herë me fantazistin Nedim Bajrami, që 15 minuta para fundit, vulosi suksesin për të besuarit e Sylvinhos.
Një gol tërësisht i merituar për Nedim Bajramin, që u pa qartë se kishte një tjetër marsh që në fillim të takimit dhe pas shumë tentativash, u shpërblye me topin që u ndal në rrjetë për të vulosur tre pikët e kuqezinjve.
Sylvinho i gëzohet kështu fitores së parë në pankinën e Shqipërisë, por nuk ka kohë për festë, pasi tri ditë më pas na pret transferta me Ishujt Faroe, një tjetër ndeshje ku marrja e tre pikëve është detyrim, për të ëndërruar Europianin e 2024-ës.