MENU
klinika

Analiza

Si erdhi deri këtu armiqësia mes Wagner dhe Putin?

26.06.2023 - 09:30

Kreu i forcës mercenare të Wagner të Rusisë, Yevgeny Prigozhin, pretendoi dje se forcat e tij kanë hyrë në Rusi për të larguar udhëheqjen më të lartë ushtarake të vendit.

Shefi i Wagner të shtunën theksoi se forcat e tij kishin kontrollin e vendeve ushtarake në qytetin jugor të Rostov-on-Don, qytet nga ku shtabi ushtarak mbikëqyr luftimet në Ukrainë.

Dhe pamje të postuara në mediat sociale tregonin automjete ushtarake, duke përfshirë tanke, në rrugë.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin dënoi rebelimin, duke thënë se ishte “një thikë në shpinë të vendit tonë dhe popullit tonë”.

“Të gjithë ata që përgatitën rebelimin do të vuajnë dënimin e pashmangshëm. Forcat e armatosura dhe agjencitë e tjera qeveritare kanë marrë urdhrat e nevojshëm”, tha Putin në një fjalim televiziv drejtuar kombit të shtunën.

 

 

Veç kësaj, shërbimet ruse të sigurisë thanë se kishin hapur një hetim penal ndaj Prigozhin për nisjen e asaj që ata e përshkruajnë si një kryengritje.

Ndërkohë shefi i Wagner vuri gjithashtu në dyshim versionin zyrtar të Kremlinit se pse Rusia pushtoi Ukrainën. Për muaj të tërë, Prigozhin ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe gjeneralin më të lartë të Rusisë, Valery Gerasimov, për paaftësi, por kjo ishte hera e parë që ai hodhi poshtë justifikimet thelbësore të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Ministria e Mbrojtjes po përpiqet të mashtrojë shoqërinë dhe presidentin dhe të na tregojë një histori se si kishte agresion të çmendur nga Ukraina dhe se ata po planifikonin të na sulmonin me të gjithë NATO-n”, tha Prigozhin në një videoklip të publikuar në Telegram nga shërbimi i tij për shtyp të premten.

“Operacioni special filloi për arsye të ndryshme”, shtoi ai.

Por sipas tij, “lufta ishte e nevojshme…që Shoigu të bëhej marshall… që të mund të merrte një medalje të dytë ‘Hero’ [të Rusisë]. Lufta nuk ishte e nevojshme për të çmilitarizuar apo denazifikuar Ukrainën”.

Ja çfarë dimë për qëllimet e deklaruara të Prigozhin:

Çfarë tha Prigozhin?
Prigozhin postoi një seri video dhe audio regjistrimesh të premten, në të cilat ai akuzoi ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu se urdhëroi një sulm me raketa në kampet fushore të Wagner-it në Ukrainë, ku trupat e tij po luftojnë në emër të Rusisë.

Kështu, Prigozhin tha se trupat e tij tani do të ndëshkonin Shoigu në një rebelim të armatosur dhe i kërkoi ushtrisë ruse të mos bënte rezistencë.

“Ky nuk është një grusht shteti ushtarak, por një marshim drejtësie”, kishte pretenduar Prigozhin.

Por Ministria ruse e Mbrojtjes ka mohuar kryerjen e sulmit me raketa.
Ndërsa Komiteti Kombëtar i Antiterrorizmit i Rusisë, i cili është pjesë e Shërbimit Federal të Sigurisë, ose FSB, tha se shefi i Wagner do të hetohej me akuzën e thirrjes për një rebelim të armatosur.

FSB i quajti deklaratat e Prigozhin të premten një “thikë pas shpine për trupat ruse” dhe tha se ato përbënin nxitje të një konflikti të armatosur brenda Rusisë.

Madje FSB u kërkoi luftëtarëve të Wagner-it të arrestonin Prigozhin dhe u tha atyre të refuzonin të ndiqnin “urdhrat e tij kriminale dhe të pabesë”.

Ndërkohë policia e trazirave dhe Garda Kombëtare e Rusisë janë përpjekur të forcojnë sigurinë në objektet kryesore në Moskë, duke përfshirë agjencitë qeveritare dhe infrastrukturën e transportit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Cila është “baza e mosmarrëveshjes” së Prigozhin me ushtrinë ruse?

Prigozhin pretendoi se ka merita të plota në janar për pushtimin e qytetit të Soledarit të minierave të kripës në rajonin Donetsk në Ukrainë dhe akuzoi ministrinë ruse të mbrojtjes se po përpiqej të vidhte lavdinë e Wagnerit.

Ai është ankuar vazhdimisht se ushtria ruse nuk arriti të furnizonte Wagner me municion të mjaftueshëm për të pushtuar Bakhmutin dhe kërcënoi se do të tërhiqte njerëzit e tij.

Luftëtarët e supozuar se ishin mercenarë të Wagner-it në Ukrainë regjistruan një video që mallkonte kreun e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjeneralin Valery Gerasimov, dhe e akuzoi atë për dështim në sigurimin e municioneve.

Prigozhin gjithashtu ka veçuar Shoigun me kritika ndërsa akuzonte udhëheqësit ushtarakë rusë për paaftësi.

Dikur një figurë e errët e biznesit me lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, Prigozhin ka ngritur gjithnjë e më shumë profilin e tij publik, duke u mburrur pothuajse çdo ditë për fitoret e supozuara të Wagner-it, duke u tallur me armiqtë e tij dhe duke u ankuar për udhëheqësit ushtarakë të Rusisë.