Mançester Siti shkroi historinë ndërsa u bë skuadra e dytë në futbollin anglez që fiton tripletën në një mbrëmje aspak të lehtë në stadiumin “Ataturk”.
“Qytetarët” ishin shpallur kampionë të Anglisë muajin e shkuar dhe më 3 qershor fituan edhe Kupën FA, ndërsa të shtunën i shtuan koleksionit të tyre sezonal edhe trofeun që i mungonte në histori, Ligën e Kampioneve. Vendos një gol i Rodrit në minutën e 68-të, moment vendimtar në një ndeshje në të cilën Gyndoan me shokë nuk shfaqën versionin e tyre më të mirë. Ndeshje shumë mirë e përgatitur nga skuadra e Simone Inzagit, që shpërdoroi edhe dy raste të pabesueshme me traversën e Di Markos dhe goditjen me kokë nga dy hapa të Lukakut, pritur nga Ederson.
Por Siti që humbi për finalen e dytë radhazi Kevin de Bryjnen, i cili la fushën në pjesën e parë i dëmtuar, nuk e humbi ekuilibrin dhe tashmë i dhuroi trajnerit katalanas trofeun më të rëndësishëm kontinental pas sukseseve me Barcelonën në 2009-ën dhe 2011- ën. Vetëm Karlo Ançeloti e ka fituar trofeun më shumë sesa ai (4 herë), ndërsa Italia i mbyll me tri humbje finalet europiane të këtij sezoni, pas disfatave të Romës në Ligën e Europës dhe Fiorentinës në Konferencë. Por cilat janë statistikat më pikante të makinerisë që ka ndërtuar tekniku 52-vjeçar, që tashmë hyn në listën e skuadrave që kanë bërë epokë në futboll.
“PËRBINDËSHI” HALAND Transferimi i sulmuesit norvegjez në Angli pritej që të ishte përcaktues, por mund të thuhet se 22-vjeçari i kaloi pritshmëritë. Në Premier Ligë ai shënoi 36 gola gjatë sezonit në vetëm 35 ndeshje, duke thyer rekordin e golave gjatë një sezoni në Angli. Dhe sikur të mos mjaftonte paraqitja e tij në Premier Ligë, Haland shënoi edhe 12 gola në Champions, duke qenë edhe në Europë golashënuesi më i mirë këtë sezon. Në 53 ndeshje shënoi 52 gola, më shumë se çdo sulmues tjetër në 5 kampionatet kryesore të Europës, e të mendosh që në 8 ndeshjet e fundit nuk shënoi. “Këpuca e Artë” është e tija dhe tani ai kandidohet edhe si favorit për të fituar “Topin e Artë”.
VIT I RI, EKIP I RI Që prej nisjes së vitit 2023, asnjë klub në Premier nuk ka grumbulluar më shumë pikë se kampionët e Pep Guardiolës. “Qytetarët” fituan 53 pikë nga 66 të mundshme prej datës 1 janar, 10 më shumë se ekipi i dytë që bëri më mirë gjatë së njëjtës periudhë, Aston Vila. Gjatë kësaj periudhe, ata shënuan gjithashtu më shumë gola (50) dhe pësuan më pak (17) në Premier Ligë.
PEP THELLON REKORDIN Sa u takon rekordeve në Kupat e Anglisë, ka disa fakte interesante që Pep Guardiola ka vendosur në stolin e Mançester Sitit. Që kur katalanasi është ulur në pankinë në vitin 2016, ai krenohet me një rekord 100% në finalet e Kupave angleze, të cilin e thelloi me triumfin në finalen e Kupës FA ndaj rivalëve të Mançester Junajtidit këtë sezon. Me katër trofe të Kupës së Ligës dhe dy të Kupës FA në palmares, ish-trajneri i Bajernit dhe Barcelonës ka konfirmuar dominimin e tij në ishull.
REKORDI I GYNDOANIT Kush mund ta harrojë rekordin e Ilkai Gyndanit, i cili shënoi golin më të shpejtë në një finale të Kupës FA këtë muaj në “Wembley”? Kapiteni i Sitit i shënoi rivalëve të Mançester Junajtidit pas vetëm 12 sekondash me një goditje fluturimthi jashtë zone pas asistit të De Bryjnes, madje edhe goli i triumfit 2-1 mban firmën e tij në të njëjtën mënyrë.
SI MUND TË TË ASISTOJ? Ndërsa Erling Halandi vodhi titujt e mediave duke qenë se e depozitoi topin në rrjetë 52 herë këtë sezon, shumë prej kësaj merite i takoi Kevin de Bryjnes. Mesfushori belg i siguroi 16 asiste në Premier Ligë për 36 golat e tij (më i miri këtë sezon), ndërsa në Champions dhuroi edhe 7 pasime për gol (sërish më i miri). Dhe me 2 asistet e fundit në finalen e Kupës FA, 31- vjeçari arriti totalin e 31 asisteve këtë sezon, 10 më shumë se çdo lojtar tjetër në Europë. Sa keq që iu desh ta braktiste finalen e Champions-it shumë shpejt në Stamboll!
NUK NDALET SË SHËNUARI Goli i Rodrit në finalen e Ligës së Kampioneve e dërgoi në 151 numrin e golave të Sitit këtë sezon në të gjitha kompeticionet. Vetëm tri herë në historinë e futbollit anglez ka ndodhur që të jetë arritur kjo shifër dhe të gjitha mbajnë emrin e Mançester Sitit. Kampionët e Anglisë e kanë përsëritur këtë edhe në sezonin 2013- ‘14 dhe 2018-‘19.
PEP, NË KLUBIN E ELITËS Duke siguruar titullin e Premier Ligës dhe trofeun e Kupës FA më 3 qershor, Pep Guardiola u bë vetëm trajneri i tretë në historinë e futbollit anglez i cili e fiton dopietën dy herë në Angli. Katalanasi e bëri për herë të parë në sezonin 2018-‘19 përpara se ta përsëriste këtë vit, por duke i shtuar edhe trofeun e Ligës së Kampioneve. Vetëm Arsen Venger (1997-‘98, 2001-‘02) dhe Sër Aleks Ferguson (1993-‘94, 1995-‘96, 1998-‘99) e kishin një arritje të tillë përpara Guardiolës. Dhe sigurisht, që vetëm Fergusoni e kishte fituar më përpara tripletën në 1999-ën.
DOMINIMI ABSOLUT Në 38 javët e Premier Ligës, Mançester Siti krenohet me një mesatare zotërimi topi 65.2% në ndeshjet e tyre. Kjo është shifra më e lartë mes ekipeve të Premier Ligës këtë sezon dhe sigurisht që e ka ndihmuar skuadrën e Pep Guardiolës për të siguruar titullin e tretë radhazi kampion.
DOMINIM NË ISHULL Përveç tripletës (Premier Ligë, Kupë FA dhe Champions), Mançester Siti u shpall kampion për herë të tretë radhazi këtë sezon. Dhe duke e bërë këtë, ata iu bashkuan klubeve elitare që e kanë dominuar kampionatin tri vite radhazi. Dhe ato nuk janë shumë, por vetëm 5 raste. Përveç Mançester Sitit është edhe Hadërsfilldi (1924-1926), Arsenali (1933-1935), Liverpuli (1982-1984) dhe Mançester Junajtidit (1999- 2001 dhe në 2007-2009-ën).
DOMINIM ANGLEZËSH Në tentativën e tyre të 13- të, “qytetarët” më në fund kanë një trofe të Ligës së Kampioneve, duke u bërë klubi i gjashtë që fiton Champions-in pas Liverpulit (6), Mançester Junajtidit (3), Çelsit dhe Notingem Forestit (2) dhe Aston Vilës (1).
MAKINERI GOLASH 151 gola në total dhe 32 në Champions, ku pësuan vetëm 5 gola. Asnjë skuadër nuk i shënoi më shumë se 1 gol Edersonit në një ndeshje të vetme këtë sezon në Europë. Vetëm dy skuadra kanë pasur një diferencë më të mirë golash në Ligën e Kampioneve: Bajerni i Mynihut në 2019- ’20-ën (+35) dhe Reali i Madridit në 2013-’14-ën (+31). Që të dyja fituan turneun atë sezon.