Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin që festojnë sot Festën e Kurban Bajramit, mbushën sheshet kryesore për faljen e Namazit.
Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën sot në sheshin ‘Skëndërbej’ për faljen e namazit të Kurban Bajramit në orën 06:00.“I lutem Zotit që ky Bajram të shërbejë si reflektim i brendshëm për çdo njeri. Të bëhemi më të fortë në besim ndaj Zotit, më të dashur e solidarë me njëri-tjetrin. T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë. I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve”,-ishte lutja e kreut të KMSH, Bujar Spahiu.
Edhe në Durrës besimtarët myslimanë po festojnë Kurban Bajramin, festën që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit. Që në orët e para të mëngjesit besimtarët myslimanë në Durrës iu drejtuan Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, si dhe xhamive të tjera pranë vendbanimeve të tyre, ku në orën 06.00, kanë falur namazin e kësaj dite festive.
Me qindra besimtarë myslimanë të të gjitha grupmoshave, në ditën e madhe të Kurban Bajramit kanë mbushur stadiumin e qytetit të Fushë Krujës, që në orët e para të mëngjesit. Dy hoxhallarët Muharrem Vrana dhe Dritan Rrahmani kanë dhenë mesazhet e tyre për më shumë begati dhe harmoni për të gjithë besimtarët myslimane, “Paqja dhe besimi ne Zot janë virtytet e çdo njeriu, ndaj ne këtë dite te kremtimit te Kurban Bajramit falenderimet i takojnë Allahut.”
Qindra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin në qendër të Elbasanit. Myftiu Agim Duka përcolli mesazhe të paqes dhe vëllazërisë, tolerancës dhe solidaritet më të vobektet dhe ata që kanë më shumë nevojë. Islami, tha Duka, në këtë ditë të veçantë lobon për të drejtat e njeriut duke hedhur poshtë çdo akuze qe i bëhet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Ndryshe nga çdo vit tjetër, në Fier këtë Kurban Bajram falja është bërë në sheshin qendror të qytetit, i mbushur nga qindra qytetarë, ndërsa krerët e myftinisë së Fierit kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Kurban Bajrami u fal në orën 06:00 minuta. Ceremonisë së faljes i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli, i cili përcolli mesazhin për më shumë paqe, mirësi, respekt e dashuri ndaj njeri tjetrit dhe sidomos për më tepër besim, duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti.
Qindra besimtarë myslimanë në Lushnjë kanë marrë pjesë mëngjesin e sotëm në faljen e namazit të Kurban Bajramit. Sheshi qendror i Lushnjës para bashkisë është bërë pritësi i këtyre besimtarëve në ditën më të mirë të festës së altruizmit dhe të sakrificës në emër të zotit.
Në sheshin kryesor të qytetit e falën namazin e Kurban Bajramit besimtarët mysliman në Shkodër. Ceremonia u udhëhoq nga zëvëndës myftiu i qytetit Arben Halluni, i cili në fjalën e tij tha se Kurban Bajrami është festë që meriton ti kushtohet vëmendje familjes dhe çdokujt që ka nevojë për ndihmën tonë.
Qindra besimtare myslimanë në Korçë mëngjesin e kësaj të mërkure u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit. Ceremonia ka nisur rreth orës 5:30 minuta në sheshin e xhamisë Iljaz Bej Mirahori dhe në 6:00 u fal namazi.
Edhe në qytetin e Vlorës besimtarët myslimane janë mbledhur përpara xhamisë në qendër te qytetit duke kryer ritualin dhe duke uruar njëri tjetrin në këtë ditë të shënuar. Faljen e Namazit në sheshin kryesor të qytetit e kreu myftiu Mirand Shehu uroj besimtarët për ditë të begata dhe mbarësi në familjet e tyre.
Me qindra besimtarë myslimanë të rrethit të Bulqizës kanë festuar Kurban Bajramin, që nisi me faljen e Namazit. Që prej orës 5 e 30 minuta besimtarët mysliman u mblodhën në sheshin para xhamisë për faljen e Namazit. Riti i Faljes u drejtua nga Myftiu i Bulqizës Sejdin Strazimiri i cili në fjalën e tij përpara besimtarëve tha se sot është dita më e madhe e vitit, dita që madhërohet emri i Zotit, ndaj Kurban Bajrami është dita e sakrificës së robit për hatrin e Zotit ndaj bëhet kurban në këtë dit.
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët që festojnë sot Kurban Bajramin. Teksa drejtoi faljen në Sheshin Skënderbej me qindra besimtarë që falën namazin, Spahiu tha se kjo ditë e rëndësishme duhet të shërbejë si një ditë reflektimi për të gjithë ne. Ai tha se sot duhet të jetë dita e tolerancës dhe e faljes, teksa në fjalën e tij pati edhe një mesazh për tensionet në veri të Kosovës.