MENU
klinika

Urimi i kreut të KMSH

Sot Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”

28.06.2023 - 10:12

Besimtarët myslimanë festojnë ditën e sotme e Kurban Bajramit. Mijëra besimtarë u mblodhën sot në sheshin “Skënderbej” për të falur namazin, i cili nisi në orën 06:00.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar uroi besimtarët duke theksuar se shpreson që kjo ditë të shërbejë si reflektim ndërsa kërkoi që njerëzit duhet të jenë më të dashur dhe më miqësorë me njëri tjetrin.

“Të bëhemi më të fortë në besim ndaj Zotit, më të dashur e solidarë me njëri-tjetrin. T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë. I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve”, tha Spahiu.

Ai dha edhe një mesazh për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës.

“I lutem Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri të Kosovës”, deklaroi ai.

Fjala e plote
Të dashur besimtar, motra dhe vëllezër shqiptar

Ne sot kremtojmë Kurban Bajramin.

Kurban Bajrami është një festë madhështore, ngase ajo buron nga një akt i pashembullt dashurie, bindjeje dhe durimi i njeriut ndaj krijuesit të gjithësisë.

Është historia e sprovimit të dy profetëve të mëdhenj, Ibrahimit (a.s.) dhe djalit të tij profet, Ismailit.

Historia e tyre nuk është një legjendë.
Historia e tyre nuk është një tregim mitologjik.
Histori e tyre është e vërtetë.
Kjo histori është një shembull që përcjell mesazhe të jashtëzakonshme për mbarë njerëzimin.

Ibrahimi (a.s.) është një profet që ka fituar favorin e madh nga Zoti i gjithësisë, ai u thirr Halilullah, ‘miku’ i Zotit. Ne mund ta marrim me mend devotshmërinë e tij derisa ka fituar këtë emërtim kaq fisnik.

Ndaj edhe ai nuk pati mëdyshje në premtimin që i pati dhënë Zotit. Sepse ai e kishte të qartë hierarkinë e dashurisë.

Kush e do Zotin duke besuar, përsiatet rreth Zotit, kush e do Zotin dhe nuk beson, përsiatet rreth vetes së tij.

Historia e tij na tregon se përsiatja e Ibrahimit (a.s.) ishte vetëm rreth Atij që e meriton t’i përsiatesh, Krijuesit të Gjithësisë. Ky është mësimi i parë që duhet të nxjerrim nga kjo ngjarje.

Por besimtari s’ndalet vetëm te njohja e kësaj historie. Besimtari duhet ta njohë më tej.
Njeriu përgjatë gjithë historisë, por sidomos në ditët e sotme shpesh herë është mjaftuar vetëm te njohja e një ngjarjeje, njohje si koncept historik.

Por nuk është kjo zgjuarsia e kësobotëshme.

Kushdo që e bën një përllogaritje të tillë, të mjaftohet vetëm duke thënë që, unë e di historinë, e besoj, ka bërë një përllogaritje meskine.

Zoti thotë në Kuranin famëlartë: A menduan njerëzit se do të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?”

Të dashur motra dhe vëllezër,

gjëja më e mirë për çdo besimtarë është që t’i përmbahet besimit në praktikë.

Praktika është detyrë.

Praktika na ruan mos rrëzohemi, sepse hapat e besimit duhet të bëhen në mënyrë të përhershme.

Njeriu e humbet shpeshherë sprovën nga njohja e besimit vetëm teorikisht.

Ne mund t’i përshkruajmë hapat e besimit teorikisht në mënyrë të shkëlqyer, por nuk i zbatojmë ato.

Çfarë dua të them?

Të gjithë ne i dimë teorikisht detyrat që lindin për t’u praktikuar sipas besimit.

Por vetëm i themi ato dhe shpesh neglizhojmë në praktikimin e tyre.

Lum ai njeri që i praktikon urdhëresat e fesë!

Motra dhe vëllezër,

e them me plotë bindje se nuk kam ndeshur shumë shembuj kaq autentik të kalorësve të besimit si Ibrahimi dhe Ismaili (a.s.).

Përveç përshkrimit në Librin e Shenjtë, reflektime rreth kësaj historie gjenden në faqe të pafundme librash e komentesh të ndryshme.

E përbashkëta e të cilave është mesazhi universal që përcjell kurbani.

Historia është premtim i mbajtur i Ibrahimit (a.s.). Është devocion i lartë i tij. Durim i pashembull dhe i pamëdyshje i Ismailit (a.s.).

Dhe më madhështorja është Mëshria e pakufijshme e Zotit ndaj robit të tij.

Kur profetët kaluan sprovën, Zoti xh.sh solli dashin për kurban.

Sepse Zoti e do njeriun shumëfishin e asaj që një nënë do fëmijën e saj.

Mëshira e Zotit është e pamatë!

Besimi i sinqertë në Zot i zgjon njeriut një pasion të jashtëzakonshëm dhe e ngre atë në grada më të larta se engjëjt.

E çdo lëvizje drejt së pafundmës bëhet me pasion e sinqeritet.

Të dashur motra dhe vëllezër,
ajo që i mungon njeriut të kohës sonë është arsyetimi dhe pasioni.

Prandaj, në një kuptim të caktuar, epoka jonë kapet pas jetës aq fort sa nuk pranon të vdesë, ndërsa vdekja është një ligj përballë të cilit s’ka shpëtim.

Prandaj e rëndësishme për çdonjërin prej nesh është që të mos krijojë konfuzion konceptesh, mos ta shesë këtë jetë me çmim të lirë, siç është pasuria e kësaj bote, pushteti e rendja pas gjërave të padobishme. Por të punojmë për qëllimin final të krijimit tonë, të arrijmë kënaqësinë e Zotit me çdo vepër tonën.

Besimtari duhet t’ia imponojë vetes, jetesën sipas porosive hyjnore, sa herë të ndodhet nën pushtetin e së fundmes, ai duhet t’i imponojë vetes mundimshëm nënshtrimin ndaj Zotit, sepse ndërgjegja e amshuar është dashuria ndaj Zotit dhe kjo është gjëja më e lartë.

Nëpërmjet besimit njeriu nuk heq dorë nga asgjë, përkundrazi, nëpërmjet besimit ai merr gjithçka saktësisht në po atë masë që punon për të, madje punët e mira shpërblehen shumëfish.

Kush bën mirë do ta marrë shpërblimin e asaj që ka bërë dhe anasjellta.

Kjo jetë nuk do t’i lerë kusur askujt, sepse Drejtësia Absolute nuk i mbetet borxh askujt!

E gjithë çështja e njeriut qëndron tek e përkohëshmja dhe e pafundmja. Kush kupton këtë do të dijë t’i japë një kuptim jetës.

Të dashur besimtarë të pranishëm në shesh dhe qytetarë që na dëgjoni përmes ekranit.

Çdo njeri duhet të mendojë se- përderisa shqetësimi që të ngadhënjejë brenda meje dashuria ndaj Zotit është më i madh se shqetësimi për të arritur lumturinë tokësore, unë ende mund ta shpetoj shpirtin tim. Lumturia e kësaj bote arrihet në një zemër të mbushur me dashuri për Zotin së pari.

Në çastin e mbramë, njeriu ende mund ta përqëndrojë tërë shpirtin e tij te një vështrim i vetëm i kthyer drejt qiellit, nga i cili vjen çdo dhuratë e vyer, dhe ky vështrim do të shprehë vërtetësinë e asaj që gjithësecili ka besuar.

Ashtu siç e përmendëm në fillim.

Profeti Ibrahim ka qenë “mik i Zotit”, e të jesh mik i Zotit, do të thotë ta duash Atë aq shumë, saqë edhe Ai të të konsiderojë ty si të dashur.

Secili prej nesh që dëshiron të zbulojë vendin e tij pranë Zotit, le të shikojë se çfarë vendi i ka caktuar Zotit në zemrën e tij.

Ibrahimi a.s i kishte caktuar Zotit në zemrën e tij, vendin më të lartë të mundshëm dhe të njejtin vend zuri edhe pranë Tij. Këtë pozitë na e mëson Zoti në Kuran, i cili thotë: “Allahu e zgjodhi Ibrahimin si të dashurin e Tij më të ngushtë”

Ai është një nga 5 pofetët më të vendosur, të quajtur ndryshe si “Ulul Azm”.
Quhen pesë profetët më të vendosur, pasi janë profetët që janë përballur më shumë me sfida dhe vështirësi. Zoti i ka përmendur këta, në një ajet të vetëm dhe thotë: “Përkujto kur Ne morëm prej profetëve besën e tyre. Edhe prej teje (o Muhamed), prej Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait, të birit të Merjemes, pra morëm prej tyre besë të fortë” (Ahzab 7)

Vetë Zoti e ka quajtur atë “Umet”. Ai thotë: “Vërtet, Ibrahimi ka qenë një umet (bashkësi njerëzish), adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët” (Nahl 120)
Që do të thotë se, pesha e besimit të tij, ka qënë sa pesha e besimit të një umeti të tërë, por edhe se veprat e mira që ai ka bërë, kanë qënë sa tërë veprat e mira të një bashkësie njerëzish. Kishte nga shokët e Profetit tonë të dashur, si psh. Ebu Bekri r.a apo Omeri r.a, që për ta njerëzit thonin se janë sa për një mijë burra. Ka njerëz që janë sa për dhjetë burra, por ka edhe gra, që janë sa për njëqind burra.

Gjithësecili të mendojë për pëshën e tij në besim apo në vepra.

Ibrahimi a.s ishte njeri i besës, me Zotin dhe me njerëzit. Thotë Allahu në Kuran: “Dhe Ibrahimi është ai që e mbajti besën” (Nexhm 37) Po si e mbajti besën ai? E mbajti duke zbatuar çdo gjë që i kërkoi Zoti. Po ne vallë, a jemi të besës karshi Krijuesit tonë?

A i zbatojmë urdhërat që Ai na ka dhënë në Kur’anin Famëlartë?
“O ju që besuat! Zbatoni premtimet, pra obligimet” (Maide 1)

Të dashur motra dhe vëllezër,

sot në vendet e shenjta ndodhen miliona besimtarë për të kryer haxhin, e mes tyre qindra nga Shqipëria.

I lutemi Zotit që t’ua pranojë lutjet atyre dhe ne.

I lutem Zotit që t’ua pranojë kurbanet që bëhen në emër të Tij çdo njeriu.

I lutem Zotit që ky Bajram të shërbejë si reflektim i brendshëm për çdo njeri.

Të bëhemi më të fortë në besim ndaj Zotit, më të dashur e solidarë me njëri-tjetrin.

T’u shtrijmë dorën e ndihmës atyre që kanë më shumë nevojë.

I lutem Zotit që në botë të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti mes popujve.

I lutem Zotit që vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë të gjejnë durimin dhe maturinë e duhur për të përballuar situatat e fundit të tensioneve dhe provokimeve në Veri të Kosovës.

I lutem Zotit që kombi ynë të përparojë në çdo aspekt.

Edhe një herë dua t’i uroj përzemërsisht gëzuar Kurban Bajramin çdo familje shqiptare.

Gëzuar!