MENU
klinika

"Do vijojmë derisa të tërhiqen"

Studentët e mjekësisë sërish në protestë, kërkojnë që MSH të heqë dorë nga ideja për punësimin e detyruar në shtet

23.06.2023 - 10:57

Një protestë e dytë me bindjen se do të kenë një përgjigje nga institucionet u zhvillua sot nga studentët e mjekësisë te rektorati në Tiranë.

Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar. Por këtë gjë, studentët e mjekësisë e kundërshtojnë. Ata u shprehën se edhe pse afati që u kishin lënë institucioneve për t’iu kthyer një përgjigje ishte deri të enjten, nuk pati asnjë sinjal.

Në këto kushte, studentët e mjekësisë dolën sërish në protestë, të vendosur se do të protestojnë derisa ky vendim të anulohet.

Një prej të rinjve tha se protestat do të jenë paqësore e marshimi do të jetë nga Universiteti deri tek Ministria e Arsimit, si organi përgjegjës lidhur me këtë vendim.

“Zgjidhja e vetme dhe e qëndrueshme e këtij problemi kalon mes një angazhimi serioz në kushtet e punës dhe rritjes së pagave në bazë të një meritokracie. Ne kemi rënë dakord që fillimisht të mblidhemi brenda universitetit duke marshuar drejt MSH sepse është përfshirë në hartimin e këtij projekti. Ata s’dhanë përgjigje dhe ne vendosëm të protestojmë sërish kundrejt këtij indiferentizmi. Aktualisht nuk ka konsultime, ka patur dy takime, aktualisht nuk ka pasur tentativa të ketë sërish. Ne kemi mbetur në nivelin e protestave.”-tha studenti.

Një nismë e tillë që ende nuk është bërë konkrete, u paralajmërua nga kryeministri Rama në Kongresin e parë të Shëndetësisë të mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë në fillim të këtij muaji.