Ashtu si në Europë, edhe shqiptarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë për të strehuar të moshuarit në azile.
Për shkak të zhvillimeve sociale dhe demografike, të dhënat e shërbimit social shtetëror tregojnë një rritje të numrit të të moshuarve në nevojë.
Viti që lamë pas ka shënuar një numër më ta lartë të strehuarve në institucione të përkujdesit për të moshuar.
Por shumë të tjerë zgjedhin të strehohen në institucione private të përkujdesit për të moshuar, duke bërë që numri i të strehuarve në azile të jetë edhe më i lartë.
Për sociologët, strehimi i të moshuarve në institucione të përkujdesit për këtë grupmoshë, vjen për disa faktorë:
Entela Binjaku, Sociologe: Sa më e hapur është shoqëria, aq më e hapur është ajo ndaj risive dhe për ne si shoqëri kjo është një risi. Ka qytetarë që pavarësisht dëshirës së mirë që kanë e kanë të vështirë të kujdesen për familjarin e tyre ndryshe nga ajo qe do merrnin në një qendër të specializuar sepse, nuk përfitojnë kujdes shëndetësor, janë të varfër, janë në punë, kanë familjarë të tjerë të sëmurë.
Ky fenomen vihet re më shumë në zonat e mëdha urbane, pasi në ato rurale mbizotëron ende mentaliteti tradicional shqiptar.
“Në zonat urbane të mëdha veçanërisht, jo ato të vogla sepse ne shoqërinë tradicionale rurale shqiptare nuk ndodh që i moshuari të lëvizet nga shtëpia dhe nuk është në kulturë ende. Ndërsa në zonat e vogla urbane funksionon ende solidariteti ndërmjet banorëve, mbështetja tek njëri-tjetri. Në qytetet e mëdha sidomos në metropol është kthyer në një prirje që po zëvendëson familjet”.
Shtëpitë e të moshuarve publike janë në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër dhe Poliçan.