Protagonist i lamtumirës së tij, siç mund të jenë vetëm ata që kanë luajtur një rol kryesor në historinë e vendit të tyre, vdekja e Silvio Berluskoni është në fakt e ngjashme me ndryshimin e skenës, duke kërcyer në faqet e para të mediave në mbarë botën, nga aktualiteti në histori. Ndarja e tij nga jeta i përshtatet më së miri fjalët e Leonardo Da Vinçit:
”Po, ashtu si një ditë e kaluar mirë të jep një gjumë të qetë në mbrëmje, edhe një jetë e përdorur me zgjuarsi të jep një vdekje të qetë”.
Një gjeni por i padisiplinuar, me aftësi të lindura të joshjes dhe me një dialektikë të spikatur.
Folja e preferuar e Silvio Berluskonit ishte driblimi, shmangia dhe anashkalimi i pengesave për të arritur në çdo rast qëllimin e paracaktuar. Vdekja e 86-vjeçarit, Cavaliere del Lavoro, 4 herë kryeministër i Italisë, manjati i parë që personifikoi dhe përfitoi politikisht nga lindja e transmetimeve televizive private, lë një gjurmë të gjatë suksesesh, në fillim ekonomike dhe më pas politike.
Ato kanë ndikuar thellësisht transformimet në sistemin ideologjik arkaik të partive politike në Itali, të cilat duke i paraprirë ardhjes së internetit, shpalosën një katalog të tërë risish, që ishin të destinuara të revolucionarizonin gjithçka në Itali.
Eklektik dhe i mprehtë, Silvio Berluskoni ka shkëlqyer në çdo aktivitet që ndërmori, nga ndërtimi deri tek shitjet me shumicë, nga sigurimet tek sektori i botimeve, nga televizioni tek reklamat, nga sporti tek politika, duke shfaqur gjithmonë një protagonizëm magjepsës dhe egoist.
Aftësive të tij të lindura, të shumëanshme dhe vizionare, Berluskoni i shtoi karakteristikën thelbësore të pragmatizmit. I aftë për të bindur dhe tërhequr të gjithë pas vetes, ai ruajti një dhunti për detajet dhe persosmërinë.
Sipas revistës amerikane “Forbes”, deri në vitin 2021 Berluskoni, themeluesi i një perandorie ekonomike dhe televizive, kishte një pasuri personale prej 7.3 miliardë dollarë amerikanë (6 miliardë euro). Ai ishte njeriu i gjashtë më i pasur në Itali dhe i 318-ti më i pasuri në botë.
Politikisht dhe historikisht, ai lë pas një trashëgimi komplekse, dhe në shumë mënyra të diskutueshme. Nuhatja e saktë e kolapsit të ideologjive dhe themelimi i një partie të re,
Forza Italia, me të cilën debutoi që në zgjedhjet e vitit 1994, arriti shumicën e nevojshme parlamentare dhe udhëheqjen e qeverisë, pasoi shumë hije dyshimi veçanërisht me përfaqësues të mafies, të cilët sipas prokurorëve të ndryshëm, kishin si ndërlidhës mikun e tij Marcello Dell’Utri.
Siç do të vërtetohej edhe nga dënimi me 7 vite për këtë çështje, por që nuk u materializua asnjëherë, por edhe për shumë padi gjyqësore ndaj Berlusconit për çështje të tjera administrative, fiskale dhe penale.
Hetime dhe procedura që përfunduan gati gjithmonë me pafajësi, me përjashtim të gjyqit që në gushtin e vitit 2013 përcaktoi dënimin përfundimtar me 4 vjet burgim (me 3 vjet të falura nga amnistia e vitit 2006) për mashtrim tatimor.
I rehabilituar në maj 2018, Berlusconi u rizgjodh i deputet në zgjedhjet për në Parlamentin Evropian të vitit 2019, ndërsa në vitin 2022 u zgjodh Senator i Republikës. Deri në ditët e fundit të jetës ai ndoqi aktivitetin e mazhorancës politike që mbështet qeverinë e parë të qendrës së djathtë të drejtuar nga një kryeministre grua, drejtuesja e partisë Fratelli D’Italia, Giorgia Meloni, ku Forza Italia e kavalierit është një pjesë shumë e rëndësishme.
Është e lehtë të parashikosh derdhjet e “lotëve të krokodilit” nga shumë prej atyre që e kundërshtuan atë në çdo mënyrë të mundshme, dhe që tani do të nxitojnë të pendohen dhe madje ta duartrokasin rolin e tij të vazhdueshëm si udhëheqës që mbetet një referencë për një qendër të djathtë liberale dhe jo-populiste, në Evropë, dhe për një figurë me peshë në skenën ndërkombëtare, mik i ngushtë i Vladimir Putinit, por edhe i ish-presidentit të SHBA-së Xhorxh W.Bush.
Në çdo rast, askush nuk do të mund ta mohojë se Silvio Berluskoni përfaqësonte një pikë kthese novatore në politikën italiane. Sigurisht që ai nuk ishte as i dëlirë, as shenjtor, por as djall, dhe do të mbetet një moment historik në politikën italiane dhe në historinë e televizionit italian të pasluftës.
Një gur kilometrik historik, që tregon një vazhdimësi të saktë politike dhe të sipërmarrjes. Një trashëgimi që tashmë është identifikuar tek vajza e tij Marina, e cila duke u mbështetur tek Giorgia Meloni, do të përmirësojë përvojën politike por edhe ruajë imazhin epokal të Silvio Berluskonit në politikë, ndërsa në fushën e biznesit do të shumëfishojë gjenialitetin e pashembullt të babait të saj, duke e shndërruar Fininvest në një kompani shumëkombëshe./ “Formiche.net”