MENU
klinika

EMRAT

Tronditet Dukagjini, qëllohen për vdekje pranë shtëpisë babë e bir

29.06.2023 - 18:50

Një ngjarje tronditëse raportohet nga Dukagjini pasditen e kësaj të enjteje. Raportohet se dy viktimat janë babë e bir, Gjokë Gurra dhe Eduart Gurra, të cilët janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre në fshatin Sumë.

Burime jo zyrtare, bëjnë me dije se babë e birë kanë shkuar në shtëpinë e tyre në fshatin Sumë, në Njësinë Adminstrative Pult, kur janë zënë në pritë dhe janë qëlluar me breshëri plumbash.

Mbrëmjen e djeshme, persona të paidentifikuar i kanë djegur shtëpinë familjes Gurra dhe pasditen e sotme dy viktimat kanë shkuar për të parë se çfarë kishte ndodhur. Sapo kanë mbërritur pranë mureve të shtëpisë së shkrumbuar, ata janë qëlluar paparalajmërim.

Fatkeqësisht, nga breshëria e plumbave babë e bir kanë mbetur të vdekur.

Ekipet e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dhe grupi hetimor janë nisur drejt Dukagjinit, sapo kanë marrë njoftim. Për shkak të zonës së largët ku ka ndodhur ngjarja, ekipet policore nuk kanë mbërritur ende në fshatin Sumë.

Shkaku nuk dihet ende, por dyshimet janë se kemi të bëjmë me një kurth dhe një ngjarje të mirëorganizuar, për të ekzekutuar Gjokë dhe Eduart Gurra. Familja Gurra jetonte në Shkodër, ndërsa me origjinë ishin nga Pulti në Dukagjinë.