Paolo Maldinit dhe Frederik Masarasë u skadojnë kontratat në qershor të vitit 2024, por pas shkarkimit nga ana e Xherri Kardinales ato nuk do të kenë mundësi të çojnë deri në fund raportin e tyre profesional me Milanin.
Zyrtarizmi i “divorcit” erdhi të martën pasdite me një komunikatë fare të thjeshtë ku falënderoheshin për kontributin e tyre. Për t’i mbajtur në detyrë, nuk ka mjaftuar as titulli i vitit të kaluar e aq më pak renditja mes katër të parave në kampionat e shoqëruar me gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
TAKIMI – Xherri Kardinale zbarkoi në Milano të shtunën, asistoi në ndeshjen kundër Veronës një ditë më pas, teksa të hënën konsumoi takimin me Paolo Maldinin. Jo në seli si zakonisht, por në një hotel të njohur milanez ku ishin vetëm ata të dy të pranishëm. Askush nuk mund të zbulojë se për çfarë është folur dhe sa ka zgjatur ballafaqimi, por për momentin ekzistojnë dy variante. I pari është për një takim që ka zgjatur vetëm pak minuta gjatë të cilave Maldinit i është komunikuar shkarkimi nga vetë pronari i klubit. Varianti i dytë, është disi më i larmishëm. Epror dhe vartës kanë folur për thuajse një orë dhe kanë pasur përplasje pikëpamjesh.
ÇËSHTJE PIKËPAMJESH – Me sa duket Kardinale është ankuar për rezultatet e sivjetshme dhe merkaton e verës së kaluar kur Maldini shpenzoi rreth 70 për qind të buxhetit për një lojtar të vetëm si De Ketelare që nuk tregoi asgjë për të merituar një investim 35 milionë eurosh. Amerikani nuk ka harruar të nënvizojë faktin se ekipi ka lënë pikë me skuadra të vogla dhe se vendi i katërt ishte meritë e dënimit ndaj Juves. Gjithçka e shoqëruar edhe me pakënaqësinë e dukshme mbi deklaratat e disa ditëve më parë nga ana e Maldinit që kërkonte investime.
Nga ana e tij, drejtori teknik ka këmbëngulur për të pasur më shumë mbështetje financiare për merkaton e kësaj vere në mënyrë që skuadra të jetë më konkurruese e të synojë rezultate më të mira se ato të sezonit të fundit. Nën shembujt e Leaos dhe Tonalit, legjenda ka kërkuar durim për De Ketelaren, teksa ka marrë si përgjigje ftohtësinë e Kardinales. Fundja, ky i fundit, si biznesmen, është mësuar të gjykojë mbi rezultatet dhe dukshëm, ato të Maldinit nuk e kanë bindur.
DY BOTË – Shkarkimet e Maldinit dhe Masarës ishin si një rrufe në qiellin e hapur milanist. Askush nuk i parashikonte e të gjithë prisnin zhvillimet e merkatos me 100 milionë euro për të shpenzuar në autonomi të plotë nga drejtori teknik dhe ai sportiv i ‘djallit’, sigurisht duke respektuar parametrat e paracaktuara në projektin e pronarit, i cili nga ana e tij synon vetëfinancimin dhe një merkatoje të orientuar nga talentet më shumë sesa te kampionët e gatshëm, të cilët janë ende shumë larg mundësive të një Milani që sapo ka dalë nga situata e bilanceve negative. Dy këndvështrime të ndryshme, e dy botë po aq të ndryshme sa që vështirë se mund të mbijetonin të dyja në universin milanist.