Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar në lidhje me zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot në këtë shtet fqinj të vendit tonë.
Abazoviç tha se në qendrat e votimit nuk ka tensione dhe se debatet e hershme të partive politike kanë qenë në kuadër të drejtimit të shtetit drejt BE-së.
“Atmosfera është shumë e relaksuar. Është shumë kënaqësi që si kryeministër të konstatoj se gjendja është shumë më mirë se ka qenë më parë. Nuk ka tensione. Partitë politike shumicën e debateve e kanë pasur për zhvillimin ekonomik dhe drejtimin e shtetit tonë drejt BE-së. Shpresoj se në këtë frymë edhe do të përfundojnë zgjedhjet.
Jam i bindur se do të kemi një institucion shumë të mirë. Unë nuk kam dilema sepse kontributin tonë e kemi dhënë dhe do të vazhdojmë me të njëjtën forcë të promovojmë vlerat për të cilat luftojmë”, tha ai në një deklaratë për mediat.