Ish-zv.kryeministri i vendit Arben Ahmetaj, edhe pse nuk ndodhet në Shqipëri, duket se informohet për çdo gjë që ndodh me çështjen e tij që prej kohësh është kompetencë e Strukturës së Posaçme dhe Krimit të Organizuar. Por informohet edhe për zhvillimet mediatike. Pas pretendimeve se po transferonte paratë e tij në Zvicër, Ahmetaj tha se 1.8 mln eurot që përfliten, në fakt nuk ekzistojnë fare. Madje edhe në këtë postim, jep indikacionin e radhës për drejtësinë se ku duhet që të fokusohet: Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me paratë imagjinare.
Arben Ahmetaj: Sot u bë raprezalja e rradhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë. Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”. Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë. Fake news e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve….
GJKKO firmosi sot edhe sekuestrimin e pronave të Arben Ahmetajt. Krahas 3 banesave të kontrolluara më herët, vila në Hamallaj, vila në Palasë dhe apartamentit që ndodhet tek zona e Shallvareve në Tiranë, sot oficerët e BKH-së po kryejnë kontrolle edhe në banesa të tjera të ish-ministrit, të cilat nuk janë kontrolluar gjatë vendimit të mëparshëm, pasi Arben Ahmetaj ishte me imunitet. Më pas në media qarkulloi edhe lajmi se Ahmetaj po i lëviste paratë e tij jashtë vendit, e pikërisht pas këtij pretendimi, erdhi dhe reagimi i Ahmetajt.