MENU
klinika

Vrasja e kryeredaktorit malazez

Abazoviç: FBI të hedhë dritë mbi rastin e Dushko Jovanoviçit

19.07.2023 - 14:37

Kryeministri Dritan Abazoviç i ka shkruar një letër shefit të diplomacisë amerikane, Anthony Blinken. Abazoviç kërkon që Byroja Federale e Hetimit të SHBA-së të përfshihet në hetimin e vrasjes së kryeredaktorit të gazetës “Dan”, Dushko Jovanoviçit, raporton vijesti.

“Ne besojmë se kontributin më të madh në zbardhjen e vrasjes së Dushko Jovanoviçit do ta japin ekspertët e Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së dhe shfrytëzoj rastin t’ju ftoj të shqyrtoni mundësinë e krijimit të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve hetuese malazeze dhe FBI”, -thuhet në letër.

Abazoviç gjithashtu i shkroi Blinken se zbardhja e këtij krimi të paprecedentë për Malin e Zi është një prioritet i Qeverisë së vendit dhe se me iniciativën e tyre ky krim është edhe një herë në fokus të autoriteteve vendore hetimore.

Një sekret prej dy dekadash

Kryeredaktori i gazetës “Dan” Dushko Jovanoviç u vra 19 vite më parë, ndërsa prokuroria dhe policia nuk kanë përcaktuar se kush dhe pse e qëlloi. I vetmi i dënuar për pjesëmarrje në vrasje ishte Damir Mandiç nga Podgorica, i cili në prill të vitit 2017, Gjykata e Apelit la në fuqi aktgjykimin për bashkëpunim dhe e dënoi me 19 vjet burg.

Që nga vrasja e Jovanoviçit në Mal të Zi, kanë ndryshuar shtatë prokurorë suprem të shtetit, nëntë qeveri dhe ministra policie, por përkundër kësaj, ende nuk dihet se kush e ka urdhëruar, organizuar dhe kryer atë krim.