MENU
klinika

Ulja e tensioneve me Serbinë

Albin Kurti ‘ia kujton’ BE-së: Kosovës t’i hiqen sanksionet

12.07.2023 - 14:24

Kryeministri Albin Kurti tha se dy kryenegociatorët Besnik Bislimi nga pala kosovare dhe Petar Petkoviç nga ajo serbe do të ftohen në Bruksel për të finalizuar planin për zbatimin e marrëveshjes së fundit.

“Pika e fundit e dakordimit në Bratisllavë ka të bëjë me ftesën që BE do të dërgojë për të dy kryenegociatorët. Ata do të ftohen në Bruksel që të finalizojnë planin e sekuencim.it apo thënë ndryshe tabelën e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se pret që marrëveshja që Qeveria ka arritur me Bashkimin Evropian për hapat për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, të ndikojnë që Kosovës t’i hiqen sanksionet e që palët në dialog të jenë të barabarta.

“Kam nënvizuar në vazhdimësi se për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari të dyja palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotëni, gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti, që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet. Së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së”, tha ai.

Në bazë të një marrëveshjeje të arritur të hënën ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, situata në Veri të vendit parashikohet të shtensionohet brenda dy javësh.