MENU
klinika

Si mund të frenohet

Analiza: Kush përfiton nga zhvlerësimi i euros

24.07.2023 - 13:30

Zhvlerësimi i shpejtë dhe i fortë i euros kundrejt lekut duket të ketë zëvendësuar inflacionin si shqetësimi më i madh i shqiptarëve. Në mes të sezonit veror 1 euro këmbehet me 100.9 lekë (kursi i 21 korrikut) dhe pritshmëritë janë njësoj pesimiste. Flukset e euros nga eksportet, turizmi dhe investimet e huaja direkte, nuk justifikojnë zhvlerësimin deri në 14% të monedhës europiane, duke lënë hapësira për të tjerë faktorë.

Për ekspertin e ekonomisë Klodian Muço, kjo ka ardhur si pasojë euroizimit të ekonomisë shqiptare, ku monedha europiane përdoret në masë, duke bërë pothuajse të padobishme politikën monetare të Bankës së Shqipërisë. Ai hedh poshtë ‘arsyetimin’ se zhvlerësimi mund të jetë artificial sepse askush nuk përfiton nga kjo gjë.

“Vendet e huaja nuk kanë ndjekur politika zhvlerësuese për monedhat e tyre dhe kjo do të thotë që faktorët janë të brendshëm. 40% e ekonomisë shqiptare është në euro dhe kështu politikat e BSH-së janë më pak efikase. Edhe pse Banka blinte miliona euro në treg, euro përsëri zhvlerësohej. Miliarda janë të padeklaruara dhe gjendja është alarmante”, shpjegon Muço për Gazetasi.al.

Duke përmendur eksportuesit dhe qytetarët që paguhen në euro si pala që dëmtohen, Muço tregon dhe përfituesit… duke e nisur nga qeveria, borxhi i së cilës është masivisht në monedhë të huaj, euro/dollar dhe grosistët e naftës.

“Në këtë situatë përfiton qeveria sepse borxhin e ka në valutë dhe të ardhurat në euro. Po ashtu përfitojnë edhe importuesit e mëdhenj, sidomos të naftës. Nafta blihet në dollarë dhe dollari është zhvlerësuar. Gjithsesi, këtu nafta vazhdon të jetë përsëri me çmim të lartë”.

Eksperti Muço sugjeron dy zgjidhje që kërkojnë ndërhyrje institucionale, afatshkurtër dhe afatgjatë.

Ai shpjegon se situata kërkon ndërhyrje urgjente dhe një e tillë mund të jetë tërheqja e valutës nga tregu nga vetë BSH, por një tjetër mund të sigurojë stabilitetin afatgjatë të kursit.

“Në asnjë vend të botës nuk të lejojnë të paguash, blesh me monedhë tjetër përveç asaj vendase, ndërsa në Shqipëri po. Qeveria duhet të bëjë me ligj, me detyrim pagesat me lekë dhe të ndalojë euron që të deeuroizohet ekonomia dhe ajo të kanalizohet vetëm në pikat exchange dhe banka. Kjo do të ndalonte dhe informalitetin dhe do të ndihmonte eksportuesit. Ata na duhen. Është ekonomi prodhimi dhe punësohen njerëz. Kjo është ekonomi shërbimi”, sqaron Muço i cili kundërshton idenë e adaptimit të euros si monedhë zyrtare.

Procesi i de-euroizimit, emëruar kështu nga vetë Banka e Shqipërisë, duket si një luftë me mullinjtë e erës, pasi në 5 vite jetë, nuk ka asnjë rezultat. Madje, monedha europiane ka pasur një zhvillim me bazë të gjerë në Shqipëri brenda dhe jashtë sistemit të kontrolluar.

Por eksperti Igli Tola, argumenton se ndoshta ky është pikërisht momenti i duhur për të adaptuar euron, duke theksuar se mbetet një thikë me dy presa.

“Shqipëria është vend kandidat për në BE dhe e ka të pashmangshme adaptimin e euros. A është tani momenti i duhur për t’u bërë ky kalimi? Është vendim i dyanshëm, me Europën dhe ne. Ky proces do kohë, nuk e bëjmë dot nesër. Puna është sa të gatshëm jemi që të heqim dorë nga politika jonë monetare sepse BSH do të dalë jashtë loje dhe e vendos Banka Europiane ofertën dhe kërkesën e euros”, shpjegon Tola duke vazhduar edhe me avantazhet.

“Avantazhi i parë është që përderisa monedhat janë në paritet konvertimi është shumë i lehtë. Zakonisht problemi në të tilla momente është fakti që qytetarët humbin para, por në këtë rast jo. Një pagë 50 mijë lekë në 500 euro ka shumë pak firo. Avantazh është sigurisht dhe tërheqja e turistëve, si edhe rritjen e kredibilitetit për të huajt”.

Edhe eksperti Tola sugjeron një ndërhyrje urgjente që mund të bëhet në një kohë më të shkurtër: kurs këmbimi fiks. Ai shpjegon se Banka mund të vendosë një kurs këmbimi fiks sigurisht vetëm për një periudhë të caktuar.

“Kalimi në kurs fiks për një periudhë të shkurtër është një zgjidhje. Kurs që mund të indeksohet me inflacionin. Gjithsesi kjo është politikë që nuk preferohet dhe do shumë garanci nga vetë BSH. Luhatjet midis kursit fiks dhe atij real i mbulon BSH dhe kur bëhet fjalë për volume janë vlera të mëdha”, përfundon eksperti Tola.

Eksportuesit, të cilët kanë humbur rreth 10% të të ardhurave të tyre përshkak të rënies së euros, përkthyer në miliona euro, kanë kërkuar disa herë ‘ndihmë’ nga autoritetet. Ndonëse si qeveria ashtu edhe Banka e Shqipërisë kundërshtojnë ndërhyrjen në një treg të lirë si ai i kursit kanë ofruar disa të tilla. Fillimisht, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj njoftoi se pagesat e taksës mbi fitimin nga bizneset eksportuese do të shtyhen deri në fund të këtij viti. Kjo pagesë shlyhet në mes të vitit, normalisht.

Nga ana tjetër, Banka, përveç trajnimeve këshilluese drejtëpërdrejtë me bizneset shqiptare që eksportojnë, u kërkoi bankave tregtare që të ofrojnë kontrat ‘forëard’ dhe kushte të lehtësuara kreditimi.

Për bizneset dhe shoqatat e eksportit asnjëra nga këto nuk është e mjaftueshme. Vetëm për muajin qershor ky aktivitet ra me 17.3%, në vlerë./Si

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksperti flet mbi krizën e euros

“Një moment rrezikshmërie për vendin tonë”

Eksperti: Do arrijë në 90-95 lekë

Euro mund të shkelë “vijën e fundit të kuqe”