MENU
klinika

Oficerët e lartë nuk nxituan ta mbrojnë

Analiza/ Putini ka të drejtë të jetë paranojak

05.07.2023 - 09:30

Pas rebelimit në të cilin mercenarët e grupit Wagner të Yevgeny Prigozhinit u afruan deri në 125 milje larg Moskës, Kremlini po përpiqet të imponojë një atmosferë zakonshmërie. Prapa skenave, megjithatë, një hetim i furishëm duket se është duke u zhvilluar. Putini mund të jetë më paranojak se kurrë – por ndoshta ka më shumë arsye për të qenë paranojak. Është e qartë se ajo që ndodhi përfaqësonte një sfidë të vërtetë sistemike.

Disa propagandistë po përpiqen të argumentojnë se Rusia doli më e fortë. Tabloidi Komsomolskaya Pravda pohoi se kjo “tregoi se mund të përballojë çdo krizë, të jashtme dhe të brendshme . . . dhe Putini ka kaluar një tjetër provë”.

Sigurisht, me ndihmën e diktatorit bjellorus Alexander Lukashenko për të arritur një marrëveshje, skenarët e vërtetë të makthit u shmangën. Rusët nuk përfunduan duke luftuar rusët në lumin Oka, në jug të Moskës, në vijën mbrojtëse të besnikëve, as qendra e Rostov-on-Don nuk u vendos nën zjarrin e artilerisë. Putini mund të marrë frymë i qetësuar. Megjithatë, parë më gjerësisht, gjërat duken serioze për të.

Muskujt

Tani është e qartë se Prigozhini – i cili nuk është parë që nga fundjava e kaluar – nuk po kërkonte të rrëzonte Putinin, as të merrte Moskën. E gjitha ishte një negociatë shtrënguese e stilit mesjetar – një baron tregonte muskujt dhe shpresonte të ndryshonte mendjen e monarkut. Prigozhini donte të ndalonte që Wagner të vihej nën kontrollin e ministrisë së mbrojtjes dhe krerëve të saj, Sergei Shoigu, ministrit të mbrojtjes, dhe Valery Gerasimov, shefit të shtabit të përgjithshëm. Kjo duhet të kishte qenë shumë më e lehtë për t’u zbutur sesa një përpjekje e plotë për grusht shteti. Për më tepër, duhet të kishte qenë më e lehtë për t’u parashikuar dhe parandaluar.

Mungesa e paralajmërimit

Agjencia kryesore përgjegjëse për parandalimin e krizave të tilla është DVKR, departamenti i kundërzbulimit ushtarak i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB). Pavarësisht nga emri i saj, DVKR është shumë më pak e angazhuar për gjetjen e spiunëve të huaj sesa për të vëzhguar forcat e sigurisë ruse, me një rrjet informatorësh në radhët e tyre.

Rebelimi nuk ishte një operacion i shpejtë. Duhej grumbulluar municion dhe mbi të gjitha karburant, të bëheshin plane, të gjendeshin rrugë. FSB-ja tani po pretendon se e dinte ditë më parë dhe se kjo e shtyu Prigozhinin të lëvizte më herët se sa kishte planifikuar.

FSB mund të përpiqet të shmangë çdo faj, siç bën shpesh. Megjithatë, nëse është e vërtetë, pse Prigozhini nuk u arrestua apo u paralajmërua? Pse ushtria dhe Garda Kombëtare paraushtarake ishin kaq dukshëm të papërgatitura?

Wagner mori Rostov-on-Don, dhe bashkë me të edhe selinë e luftës në Ukrainë, pa asnjë të shtënë, pasuar nga qyteti i Voronezh. Përtej disa helikopterëve – të cilët ata i rrëzuan – mercenarët nuk hasën rezistencë. Pretendimi se forcat e sigurisë po përpiqeshin të shmangnin gjakderdhjen dhe donin të ndalonin Prigozhinin në lumin Oka, nuk është i besueshëm, veçanërisht pasi është e qartë se si ata u përpoqën edhe për të çuar forcat atje. Disa parashutistë në një tren për në Ukrainë duket se u detyruan të dilnin dhe të hipnin në një tjetër që kthehej drejt e në Moskë.

Në gardh

Pas rebelimit, Putini falënderoi forcat e sigurisë, duke thënë se “ju e keni shpëtuar atdheun tonë nga trazirat. Në fakt, ju keni ndalur një luftë civile.” Megjithatë, në realitet, edhe pse ata nuk dezertuan te Wagner – diçka të cilën Prigozhini duket se e kishte llogaritur – shumë prej trupave nuk ishin po aq të gatshëm të pengonin mercenarët.

Gjenerali Viktor Zolotov, kreu i Gardës Kombëtare, e kaloi pjesën më të madhe të së shtunës së kaluar duke u telefonuar në mënyrë të dëshpëruar komandantëve lokalë. Ata mundoheshin të mos ishin të disponueshëm, me sa duket për të shmangur marrjen e urdhrave të drejtpërdrejta që do të duhej t’i ekzekutonin ose t’i shkelnin. Ashtu si në Rostov-on-Don, të gjithë fshiheshin pas mungesës së urdhrave të drejtpërdrejtë. Ndërkohë, edhe teksa Sergei Sobyanin, kryebashkiaku i Moskës, po aktivizonte planin e sigurisë së emergjencës Krepost (Kështjella), një numër i madh policësh në Moskë nuk po shfaqeshin, duke thënë se ishin sëmurë. Ashtu siç bënë në ditën e parë të grushtit të shtetit të vitit 1991 kundër liderit reformator sovjetik Mikhail Gorbachev, ata donin të qëndronin prapa gardhit dhe të shihnin se çfarë do të ndodhte.

Nuk ka opsione të kollajta

Tani, edhe pse lavdëron radhët e Wagner-it si “patriotë të përkushtuar ndaj atdheut të tyre” – të mashtruar në rebelim nga Prigozhini, siç e thotë narrativa e re – Putini duket se po i drejtohet komandës së tij të lartë. Shoigu zor se është parë që nga rebelimi; Gerasimovi aspak. Gjenerali Sergei Surovikin, komandanti i mëparshëm i përgjithshëm në terren në Ukrainë dhe që dikur mendohej të ishte shefi i ardhshëm i shtabit të përgjithshëm, thuhet se është nën arrest, megjithëse zëvendësi i tij, gjeneral-koloneli Andrei Yudin, e ka mohuar këtë.

Aktualisht situata është e paqartë. Surovikini kishte një marrëdhënie të mirë pune me Prigozhinin dhe burimet e inteligjencës amerikane kanë pohuar se ai mund të ketë pasur dijeni paraprake për kryengritjen. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte edhe më shqetësuese për Putinin, pasi do të sugjeronte se figura të larta në aparatin e sigurisë ishin prapa ose, më shumë gjasa, thjesht dashamirës ndaj situatës së Prigozhinit, dhe të gatshëm për të mbyllur një sy.

Por çfarë bën Putini? Ai ka ndërruar shpesh figura të larta në operacionin ukrainas, por ka një ndryshim midis kësaj dhe një spastrimi të plotë të komandës së lartë. Atij nuk i pëlqen të reagojë në një afat të shkurtër dhe ky mund të jetë instinkti i tij tani, nëse po përpiqet të dobësojë rebelimin. Përveç kësaj, mesi i kundërofensivës ukrainase nuk është një kohë e mençur për të riorganizuar drejtuesit e ushtrisë.

Nga ana tjetër, të mos bëjë asgjë rrezikon ta bëjë Putinin të duket i dobët dhe gjithashtu të mbajë pranë armiqtë e mundshëm. Ndoshta problemi i vërtetë është mbajtja e vazhdueshme e Shoigu dhe Gerasimov, të cilët deri tani janë të urryer nga gjeneralët dhe ushtarët. Megjithatë, heqja e tyre do ta bënte të dukej sikur ai po i bën një lëshim Prigozhinit. Për Putinin, nuk ka opsione të kollajta.

Kujt mund t’i besojë?

Duke mos u besuar gjeneralëve të tij, Putini duket ende i gatshëm t’u besojë ushtrive private, pavarësisht rebelimit të Prigozhinit. Forcat e të fortit çeçen Ramzan Kadyrov rivalizojnë Wagnerin në numër, por ndërsa kryekomandant i tyre i luftës shpall besnikërinë e tij ndaj Putinit dhe dëshirën për të parë trupat e tij të dislokuara kudo që luftimet janë më të vështira, në praktikë ai i mban ato sa më larg vijës së frontit që mundet. Ndërkohë, korporatat shtetërore si Gazprom dhe Roscosmos po krijojnë kompani mercenare, megjithëse këto janë shumë të ndryshme nga Wagner: më të vogla dhe nën komandën e drejtpërdrejtë të ministrisë së mbrojtjes.

Putini duket se nuk i beson as popullit rus, aq më pak pas skenave të turmave që brohorasin luftëtarët e Wagner-it ndërsa ata tërhiqeshin nga Rostov-on-Don. Garda Kombëtare, në thelb një forcë e kontrollit të trazirave, tani do të marrë tanke dhe artileri me rreze të gjatë.

Dilema e Putinit

Por kundër kujt do t’i përdornin ato? Mbështetja e fundit e regjimit të Putinit ka qenë gjithmonë kontrolli prej tij i aparatit të sigurisë. Edhe pse ka pasur aludime pakënaqësie në radhët, duke përfshirë edhe ankimet në rrjetet sociale, ky ka qenë testi i parë i vërtetë i mbështetjes së tyre për presidentin. Dhe ka lënë për të dëshiruar.

Prigozhini me sa duket kishte parashikuar që një numër i madh – “gjysma e ushtrisë”, pretendonte ai në hiperbolë karakteristike – do t’i bashkoheshin atij. Sikur rebelimi të zgjaste më shumë apo të udhëhiqej nga një figurë më pak konfrontuese, a mund të kishte filluar të ndodhte kjo? Është e pamundur të dihet.

Kjo është dilema që do ta ndjekë Putinin herën tjetër që ai të tundohet të përdorë forcat e sigurisë. Në anën e kujt, nëse ka, do të jenë ata? Një shtet policor duhet të jetë në gjendje të varet nga policia e tij kur të godasë kriza e ardhshme, ose nuk është asgjë. / The Sunday Times – Bota.al