Planifikimi i të gjithë strategjisë sportive dhe ekonomike të një klubi është një detyrë e mundimshme, por emocionuese.
Zgjidhni rolin e secilit lojtar në skuadër, zgjidhni njëmbëdhjetëshen tuaj fillestare me sistemin tuaj të preferuar, vendosni lëvizjet e mundshme… të gjitha këto janë zgjedhje që vënë në provë punën e një trajneri. Dhe natyrisht që barra bëhet më e rëndë nëse flasim për klube si Reali i Madridit. Në ndryshim nga sa jemi mësuar me këtë klub, prej të paktën 2 vitesh Reali ka ndryshuar strategji për sa i përket merkatos. Florentino Perez ka zgjedhur një rrugë tjetër për të ngritur nga e para një tjetër cikël fitues.
Nuk po shohim më Realin që shpenzonte miliona për emra me peshë në futbollin botëror. Tani po shohim një Real më shumë të orientuar drejt të rinjve. Shembujt e Bellingam, Arda Gyler apo Brahim Diaz janë vetëm disa prej lëvizjeve të bëra nga presidenti Perez dhe që i ka dhënë në duar trajnerit Ançeloti një skuadër me shumë mundësi, me shumë alternativa sa i përket 11-shes që ai do të hedhë në fushën e lojës.
Cilësia e madhe e lojtarëve dhe shkathtësia e tyre e madhe i japin Ançelotit mundësi të pafundme për të dalë në fushë me rreshtime të ndryshme. Disa mendojnë se me lëvizjet më të fundit në merkato, Ançeloti mund t’i kthehet “pemës së vitit të ri”, aq shumë e dashur për të. Por gjasat janë që me përbërjen e skuadrës Ançeloti të ndryshojë nga një sistem klasik tashmë 4-3-3 në një sistem 4- 4-2, pse jo dhe në një sistem me 3 në mbrojtje 3-4-3.
Në fakt shumë gjëra mbeten peng i një numri nëntë. Ndërsa të gjithë janë në pritje të Mbapesë, Ançeloti mund t’i besojë Hoselut si “nëntë”, me 4-4-2, me Gylerin në të djathtë… Për momentin është e vështirë të gjesh zgjedhjen e duhur të italianit, por mundësitë nuk mungojnë.