MENU
klinika

Kush janë djemtë që po djegin Francën?

“Ata jetojnë këtu, por ëndërrojnë Magrebin”

03.07.2023 - 13:14

Më të vështirët për të komunikuar me dhe për t’u marrë vesh, për francezët me origjinë arabe janë ndonjëherë francezët e tjerë me origjinë arabe.

Ashtu si Saalah Gotti, një djalosh nga Marseja që shfryn i nervozuar në TikTok (d.m.th. një nga rrjetet sociale që Macron tregon me gisht, si bashkëpërgjegjës për fatkeqësinë).

“Postoni bëmat tuaja në internet, qeshni me to dhe atëherë çfarë i mbetet të tjerëve të thonë për ne? Se ne jemi në Francë por nuk e konsiderojmë Francën si vendin tonë dhe i lejojmë vetes ta shkatërrojmë. Ne po sabotojmë veten edhe një herë”, shprehet i riu me origjinë arabe duke iu referuar veprimeve të fundit nga ky etnicitet.

Dhe një tjetër si ai shpërthen. Riadh Senpai shkruan: “Edhe gjaku ynë (vendi i origjinës) nuk mund të na shoh më. Ne jemi një turp. Edhe në Algjeri, Tunizi, Marok, tani ata na urrejnë sepse edhe ne i diskreditojmë. Gjyshërit tanë, ndoshta baballarët tanë kanë qenë emigrantë, ne nuk jemi! Ne jemi francezë vëllezër, por jemi dakord me të gjithë ata që na urrejnë. Dhe tani çfarë do të ndodhë?“.

Gjithë reagimet lidhen me Nahel Merzouk. 17-vjeçari francez nga Nanterre me origjinë algjeriane, u vra nga një polic të martën më 27 qershor. Emocioni ishte i madh në të gjithë Francën, aq sa presidenti Emmanuel Macron i doli në krah familjes së Nahelit duke dënuar “aktin e pafalshëm” të policit, i cili përfundoi në burg i akuzuar për vrasje me dashje.

Por klima në vend tashmë ka ndryshuar.

Pas gjashtë ditësh shkatërrimi, 4500 makina të djegura, qindra dyqane të grabitura dhe shkatërruar e 3300 arrestime, ajo që del në pah nuk është më vetëm dhuna dhe racizmi i forcave të rendit, por edhe mungesa e integrimit.

Ka nga ata që e quajnë këtë skizofreni, pasi pjesë e adoleshentëve të rebeluar janë ata që ndjekin shkollën franceze, flasin frëngjisht, punojnë mes francezëve, por ndihen si të huaj në shtëpinë e tyre, një shtëpi që janë gati ta shkatërrojnë dhe djegin.

Përse ndodh kjo, politikanët, sociologët dhe intelektualët janë grindur prej vitesh, por tragjedia e Nahelit dhe plaçkitjet që pasuan e thellojnë përçarjen midis “rezultatit francez të imigrimit”.

Është një histori që fillon me dekolonizimin dhe nuk mbaron kurrë. Është një histori që preku momentin e saj më të frikshëm dhe më ekstrem me sulmet islamike të vitit 2015, të kryera nga terroristë kryesisht francezë, por që ka dekada të tëra që përshkon shoqërinë në shkallë të ndryshme intensiteti, në mënyrë rraskapitëse.

Asnjëherë si në ditët e sotme modeli universalist dhe asimilues francez nuk duket se ka dështuar. Krahasuar me multikulturalizmin anglo-sakson (secili ruan traditat e veta fillestare, komunitetet e veçanta jetojnë krah për krah) universalizmi francez është më ambicioz.

Parimi kryesor është se cilado qoftë origjina, ju thirreni të bashkoheni në kallëpin francez. Kjo është origjina ideologjike, në vitin 2004, e ligjit që ndalon shenjat fetare – mbulesa islame, të flasin qartë – në shkolla.

Me përjashtim të faktit se sa më shumë që Franca u kërkon fëmijëve të saj të bashkohen dhe të jenë francezë deri në palcë, aq më shumë prej tyre rebelohen. Shumë Mohamed ose Aisha vishen në stilin perëndimor me tuta Nike ose Under Armour, ose veshin Air Jordan, por i kombinojnë ato me një tunikë islamike, siç ndodhi të shtunën në funeralin e Nahelit. Prej muajsh, drejtorët, mësuesit dhe ministri i Arsimit kanë debatuar nëse duhet të ndalohet qamisi (këmisha e gjatë) për djemtë dhe abaja për vajzat në shkolla. Ndoshta janë shenja fetare.

Shenjat e përkatësisë dhe të dallimit, që thonë: “Ne jemi mes jush, por nuk jemi si ju”.

Është e pamundur të atribuohet përgjegjësi e madhe për këtë mungesë integrimi. Duhet mbajtur mend se në vitin 2017 një raport i “Mbrojtësit të të Drejtave” arriti në përfundimin se “një i ri me pamje arabe ose me ngjyrë ka 20 herë më shumë gjasa të kontrollohet nga policia” dhe se që nga viti 2006 një ligj (që nuk është aplikuar kurrë) do t’i detyronte kompanitë me më shumë se 50 punonjës që të shqyrtojnë vetëm rezyme anonime (në mënyrë që Mohamedët dhe Aishat të mos diskriminohen). Në disa, jo të gjitha lagjet periferike, shkalla e papunësisë për të rinjtë arrin në 40%.

Megjithatë, varfëria dhe papunësia nuk shpjegojnë gjithçka , siç tha për Corriere della Sera ish-kryeministri socialist Manuel Valls. Historiania e Sorbonës, Annie Fourcaut thotë se harta e trazirave të këtyre ditëve nuk korrespondon aspak me atë të revoltës së 2005.

“Atëherë ishin të përfshira vetëm lagjet e varfra, sot dhuna është kudo, nga Parisi në Marsejë”, tha ajo.

Fjalët më të qarta dhe më të rënda i shqiptoi, edhe para kësaj revolte, një tjetër franceze me origjinë arabe, mësuesja dhe eseistja Fatiha Agag-Boudjahlat.

“Kur nëna ime mbërriti në Francë, ajo nuk mbante vello dhe nuk fliste as arabisht, pasi ajo po përpiqej të integrohej. Ne ktheheshim për të vizituar të afërmit në Algjeri një herë në tre vjet kur ishte mirë. Nipërit e mi shkojnë atje gjatë gjithë kohës, tre herë në vit, me fluturime me kosto të ulët. Ata jetojnë në Francë, por sistemi i vlerave, horizonti, është Algjeria. Ata nuk ndihen francezë sepse prindërit e tyre flasin vetëm për Bled, vendin e tyre të lindjes në Algjeri. Fëmijët mendojnë se Algjeria është parajsa mbi tokë dhe askush nuk i mëson të duan edhe Francën. Ata jetojnë këtu, por ëndërrojnë për Magrebin”.