Edi Rama i bindur se ardhmja e bashkëpunimit rajonal tanimë duhet të fokusohet tek Procesi i Berlinit, që javën e shkuar deklaroi fundin e Ballkanit të Hapur, do të nisë një tur 2-ditor në 5 kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri shqiptar ka planifikuar që në datën 6 dhe 7 Korrik të takohet me 4 homologët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi si dhe Presidentin e Serbisë. Turin do ta nisë nga Shkupi dhe pas takimit me Dimitar Kovaçevskin do të udhëtojë drejt Prishtinës ku do të takohet me Albin Kurtin.
I pari takim pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive dhe rritjes së tensioneve në veriun e vendit, situatë që mesa duket po bëhet shkas për zhvillimin e këtij turi ballkanik të Kryeministrit shqiptar. Rama dhe Kurti do të takohen rreth orës 16:00 dhe më pas pritet të ketë dhe një komunikim me mediat.
Burimet nga Prishtina Zyrtare thanë se Kurti e ka pranuar formatin e takimit në kuadër të një turi të Ramës nëpër Ballkan. Tanimë, Rama pasi tha se “Ballkani i Hapur” e ka përmbushur misionin e tij, i ka kthyer sytë nga Procesi i Berlinit.
Kryeministri dhe stafi i tij kanë vendosur të qëndrojnë natën e 6 Korrikut në Prishtinë dhe më pas mëngjesin e të premtes së 7 korrikut do të udhëtojnë drejt Sarajevës ku do të ketë takim me BorjanaKriston kryesuesen e Këshillit të Ministrave, më pas do të fluturojë drejt Podgoricës ku do të takojë Kryeministrin në detyrë Dritan Abazoviç.
I fundit do të jetë Beogradi, ku Kryeministri do të pritet në një takim nga Aleksandër Vuçiç. Ky do të jetë takimi i parë pas komunikimeve që Rama ka pasur me të dhe autoritetet serbe për lirimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës të arrestuar nga strukturat policore serbe.
Nga këto takime, më të vështirat për Kryeministrin e Shqipërisë pritet t’i ketë në Prishtinë me Albin Kurtin, dhe në Beograd me Aleksandër Vuçiç, ku nga të dy do të kërkojë të pranojnë planin Franko-Gjerman dhe të ulin menjëherë tensionet për të mirën e tyre dhe të rajonit tonë.
Në Beograd veç bisedimeve për Kosovën, Rama pritet të ketë bisedë me Aleksandër Vuçiç edhe për Ballkanin e Hapur, për të cilin Rama ka thënë më herët se e ka përmbushur misionin e tij, por Vuçiç ka insistuar se nisma duhet të vijojë.