MENU
klinika

"Inkurajoj SPAK të hetojë politikanët"

Basha: Legalizimi i kanabisit i shërben krimit

22.07.2023 - 20:30

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë kundër vendimit të qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor, duke theksuar se ky vendim i shërben vetëm krimit.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Basha ka kërkuar sërish vetting për politikanët, me qëllim shkëputjen e politikës nga krimi dhe korrupsioni. Basha inkurajon SPAK të hetojë pa ndalur çdo politikan që ka abuzuar me paratë dhe besimin e shqiptarëve.
“Në një shtet ku ligjin e bëjnë bandat – legalizimi i kanabisit është akt kriminal ndaj shoqërisë e sidomos ndaj të rinjve.

Tashmë është fakt botërisht i njohur se si kjo qeveri e kanabizoi Shqipërinë. Në Raportin Botëror të Drogës për vitin 2022, publikuar nga zyra e OKB-së për krimin dhe drogën, Shqipëria renditet në vendin e 7 nga 154 vende të botës për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.
Pamundësitë ekonomike, varfëria e papunësia kanë detyruar qindra qytetarë të punojnë si skllevër në parcelat e kanabisit që mbroheshin nga policia. E në vend që qeveria të tërhiqte investime, që hapin vende pune, rrisin mirëqënien e tyre, legalizon industrinë e kanabisit.

Në po të njëjtën ditë kjo mazhorancë, e cila ka dështuar t’u krijojë kushte më të mira e trajtim dinjitoz mjekëve që të mos largohen, kërkon me ligj t’i “burgosë” mjekët e ardhshëm për t’i ikur përgjegjësisë së saj.

Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon afera e Inceneratorëve, apo abuzimi me fondet e BE për bujqësinë, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.

Ne inkurajojmë dhe mbështesim SPAK-un të hetojë pa e ndalur hetimin e gjithkujt që ka abuzuat me paratë dhe besimin e shqiptarëve e nga ana tjetër kërkojmë sa më parë vetting-un e politikanëve, për të pastruar politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo. E jo vetëm kaq por duhen krijuar mekanizmat ligjorë dhe mbështetja e pakushtëzuar për SPAK, që paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve!

Partia Demokratike ka nisur ndryshimin nga vetja e do ta sjellë këtë ndryshim për gjithë Shqipërinë duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet të cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve, që t’i zgjedhin vetë deputetët e tyre e për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë”- tha Basha.