MENU
klinika

Dokumenti

“Bashkë Fitojmë” kallëzim penal në SPAK për kryebashkiakun e Kuçovës

15.07.2023 - 16:51

“Bashkë Fitojmë’ ka bërë kallëzim penal në SPAK, ku kërkojnë pezullimin nga detyra të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit.

Në kallëzimin që mban datën 14 Korrik, Hajdari akuzohet se ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit në dy raste, një dënim nga drejtësia greke. Me anë të një dokumenti zyrtar i përbërë prej 14 pikash, “Bashkë Fitojmë” kërkon pezullimin e Hajdarit si dhe caktimin e masave të tjera të sigurisë për falsifikim të formularëve parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Për Partinë Demokratike ekzistojnë kushtet ligjore për nisjen e hetimeve ndaj Hajdarit, dhe pezullimin e tij nga detyra si kryetar bashkie.

Në kallëzim thuhet se Kreshnik Hajdari ka qenë në dijeni të plotë të dënimit, pasi ai ka qenë prezent në kohën e dhënies së tij. PD shprehet se Hajdari e ka fshehur dënimin në formularët e vetëdeklarimit para zgjedhjeve të 2019-ës dhe atyre të 2023-shit, duke konsumuar kështu veprën penale të falsifikimit të formularëve që parashikon dënim me burg.

Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, rezulton i dënuar nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit”.

Pas publikimit të vendimit, kryebashkiaku i Kuçovës komentoi në Facebook se vendimi ndaj tij ishte administrativ dhe për pasojë jo e detyrueshme të deklarohet, dhe se ai u largua në Greqi në moshën 17-vjeçare sepse “fajin e kishte Saliu”.

“Kjo është hera e parë që unë mësoj për ekzistencën e një vendimi të tillë, për të cilin sidoqoftë do të interesohem zyrtarisht mbi vërtetësinë e tij. Asokohe në moshën 17-vjeçare mora rrugën për të punuar në Greqi si shumë bashkatdhetarë të tjerë, duke lënë pas Shqipërinë e katandisur si mos më keq nga Saliu. Më ndaluan në kufi dhe menjëherë më kthyen pas në vendlindje.

Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë më pas në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë Gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për t’u deklaruar si vendim administrativ. Gjë që përcaktohet shumë qartë në formularin e Ligjit për Dekriminalizimin, më konkretisht pika 7. Thënë këto, kjo nuk është aspak penalizuese për kandidimin tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Bashkinë Kuçovë. Pra, s’ka asnjë pengesë ligjore”, ka shkruar më herët Hajdari në rrjetet sociale.