MENU
klinika

Shkak, përkeqësimi i klimës ekonomike

Bie kërkesa globale për naftë

15.07.2023 - 13:34

Si pasojë e përkëqësimit të klimës ekonomike, kërkesa globale për naftë ka shënuar rënie. Ndërkohë, inventarët e naftës në këtë tremujor janë në nivelin më të lartë në rreth dy vjet. Reduktimi i prodhimit nga Arabia Saudite u kompensua nga prodhues të tjerë të naftës si Irani dhe SHBA

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë – IEA ka rishikuar parashikimin e saj për kërkesën globale për naftë poshtë për herë të parë këtë vit, duke përmendur një përkeqësim të klimës ekonomike që po rëndon në mënyrë disproporcionale mbi ekonomitë e zhvilluara.

Tani ajo pret që kërkesa të rritet me 2.2 milionë fuçi në ditë, në një mesatare prej 102.1 milionë fuçi në ditë. Sipas IEA, 70% e rritjes është për shkak të Kinës. Në parashikimin e saj të mëparshëm rreth një muaj më parë, agjencia vlerësoi se rritja do të ishte 2.4 milionë fuçi në ditë. Natyrisht, kërkesa ka të ngjarë të arrijë përsëri nivele rekord brenda vitit, duke çuar në një reduktim të ndjeshëm të inventarëve në gjysmën e dytë.

Sipas raportit të agjencisë kërkesa globale për naftë është nën presionin e mjedisit të vështirë ekonomik, veçanërisht për shkak të shtrëngimit dramatik të politikës monetare në shumë vende të zhvilluara dhe në zhvillim gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

Çmimet e naftës brent dhe të naftës amerikane janë në rritje që prej të mërkurës, madje duke arritur nivelin më të lartë të dy muajve për shkak të lehtësimit të inflacionit në SHBA dhe rrjedhimisht për shkak të optimizmit për përfundimin e ciklit të shtrëngimit të politikës monetare. Vihet re se tregjet globale të naftës kanë qenë në kaos javët e fundit, pasi prodhuesi më i madh i naftës i OPEC-ut, Arabia Saudite, ka njoftuar zgjatjen e vendimit për ulje të prodhimit edhe në gusht.

Ndërkohë, inventarët e naftës në këtë tremujor janë në nivelin më të lartë në rreth dy vjet. Sipas IEA, resuktimi i prodhimit nga Arabia Saudite u kompensua nga prodhues të tjerë të naftës si Irani dhe SHBA. IEA pret që kërkesa të rritet me një ritëm edhe më të ngadaltë në vitin 2024, me 1.1 milion fuçi në ditë, “pasi rimëkëmbja humbet vrullin dhe masat e elektrifikimit dhe efikasitetit marrin fuqi”, thanë analistët.

Muajin e kaluar, IEA tha se kërkesa globale për naftë do të jetë pothuajse zero në vitet e ardhshme dhe do të arrijë kulmin përpara vitit 2030.