Qyteti bjellorus, Tsel, duket të jetë një destinacion ideal për t’u larguar nga zhurma dhe mbingarkesa e jetës së qytetit, sepse është i vendosur përgjatë një lumi dhe i rrethuar me pemë, deri rreth 90 kilometra në juglindje të Minskut. Selia e distriktit Asipoviç dhe vendasit e Minskut së fundmi kanë blerë prona në Tsel për t’i përdorur si “arratisje” nga qyteti për fundjavë.
Mirëpo, kjo mund të ndryshojë së shpejti. Në nivel lokal, kanë qarkulluar fjalët se Bjellorusia po e rinovon garnizonin ushtarak të braktisur në Tsel. Disa qytetarë kanë frikë se mund të përdoret për të vendosur luftëtarët e Wagnerit, të cilëve u është dhënë mundësia të zhvendosen në Bjellorusi pas një rebelimi shokues, jo shumë të gjatë, që tronditi Rusinë.
Padyshim që diçka po ndodh në Tsel, sipas fotografive satelitore të publikuara nga Planet Labs. Imazhet e marra më 17 dhe 27 qershor krahasohen për të zbuluar pamjen e të njëjtave gjëra në disa lokacione; këto objekte mund të jenë tenda të grumbulluara ose pjesë të mëdha pajisjesh.
Sipas Oleh Zhdanovit, një analist ushtarak nga Ukraina, i cili shqyrtoi fotografitë satelitore, për Radion Evropa e Lirë tha se këto mund të jenë shtëpi të parafabrikuara. Megjithatë, ai pohoi se është e pamundur që objekti të rinovohet për trupat e Wagnerit, duke pasur parasysh që kohët e fundit ndodhi rebelimi dhe ndodhitë e dyshimta që i dhanë fund asaj. “Ka kaluar pak kohë për të filluar ndërtimin e një kampi posaçërisht për grupin Wagner. Kjo është jorealiste”, tha Zhdanov.
Yevgeny Prigozhin, i cili kishte kritikuar ashpër udhëheqjen ushtarake ruse për muaj të tërë, njoftoi më 23 qershor se forcat e tij do të bënin një “marshim drejtësie” drejt Rusisë nga Ukraina, ku ata luajtën një rol kyç dhe kryen vrasje të rënda gjatë luftimeve për qytetin Bahmutit në rajonin e Donjeckut. Mercenarët e grupit Wagner morën në mënyrë efektive nën kontroll Rostov mbi Donin, një qytet i madh në jug, ndërsa një grup tjetër u nis për në një autostradë drejt Moskës. Presidenti rus, Vladimir Putin, e dënoi “rebelimin e armatosur” dhe paralajmëroi se ata që qëndronin pas tij ishin tradhtarë që do të japin përgjegjësi. Prigozhin papritmas ndërpreu “operacionin” më 24 qershor, duke thënë se njësia e tij ishte rreth 200 kilometra larg Moskës, por se ai dëshironte të parandalonte gjakderdhjen.
Afrika apo vdekja? Prigozhin nuk pritet të qëndrojë gjatë në Bjellorusi
Kremlini dhe Lukashenka thanë se kishin arritur një marrëveshje, në të cilën mercenarët e Wagnerit do t’i shmangeshin dënimit dhe Prigozhin do të zhvendosej në Bjellorusi. Luftëtarët e grupit Wagner mund t’i bashkohen ushtrisë ruse, të kthehen në shtëpi ose të udhëtojnë në Bjellorusi, sipas Putinit, në deklaratat e 26 qershorit.
Specifikat e marrëveshjes së supozuar nuk janë bërë publike. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në Uashington raportoi më 28 qershor se të tria palët dukej se po negocionin detajet e marrëveshjes. Lukashenka raportoi më 27 qershor se Prigozhini kishte mbërritur në Minsk si pjesë e marrëveshjes. Sipas të dhënave të fluturimit, avioni privat i Prigozhinit zbriti në Minsk atë ditë, por u kthye në Shën Petersburg, ku është vendosur udhëheqësi i Wagnerit, më 28 qershor. Prigozhini nuk është parë që kur u fotografua duke u larguar nga Rostov mbi Doni në ulësen e pasme të një veture SUV e bardhë më 24 qershor.
Ai nuk ka komentuar për vendndodhjen e tij që atëherë dhe nuk ka pasur asnjë shenjë të caktuar që ndonjë nga luftëtarët e Wagner ka shkuar në Bjellorusi. Lukashenka tregoi interes që ushtarët e Wagnerit të vendosen në Bjellorusi dhe t’i ushtrojnë trupat e tij, pavarësisht nga fakti se ata janë më me përvojë dhe kishin luftuar në mënyrë më efikase në Ukrainë sesa forcat e rregullta ruse.
“Ne nuk po ndërtojmë një kamp për ta, tani për tani. Nëse ata duan [të vendosen këtu], ne do të gjejmë një vend për ta. Ne u kemi ofruar atyre një nga garnizonet tona të braktisura”, tha ai më 27 qershor, pa përmendur një vendndodhje specifike. Kjo deklaratë e Lukashenkas mund të përshkruajë potencialisht vendin në Tsel — por rinovimi atje filloi në fillim të qershorit, javë përpara kryengritjes së Prigozhinit.
Si e përjetuan banorët e Rostovit rebelimin e Prigozhinit?
Sipas Zhdanovit, ndërtimi i dukshëm atje, mund të jetë për ushtarët rusë që nuk janë nga Wagneri dhe mund t’i nënshtrohen stërvitjes në Bjellorusi, siç kanë bërë të tjerët që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 – një nga mënyrat se si Lukashenka e ka mbështetur luftën e Moskës pa dërguar trupa bjelloruse për të luftuar në të.
Shumë nga ushtarët rusë që ishin trajnuar në Bjellorusi u thirrën si pjesë e mobilizimit të madh të Putinit në shtator të vitit 2022. Ndërsa Kremlini pretendonte se kishte përmbushur objektivin e tij prej deri në 300.000 ushtarësh brenda disa javësh nga njoftimi, Ministria ruse e Mbrojtjes ka vazhduar të dërgojë trupa si pjesë e ushtrisë edhe pse përballet me një rënie të fuqisë punëtore.
Disa ekspertë kanë parashikuar se Rusia mund të shpallë një valë të dytë të mobilizimit në shkallë të gjerë pasi ajo pëson viktima të shumta dhe Ukraina po avancon me kundërsulmin që nisi në fillim të qershorit. Zhdanov vuri në dukje se Tsel është vetëm 30 kilometra nga një bazë në Asipoviç ku ushtarët rusë po stërviten për vendosjen eventuale në Ukrainë.
Kampi i mundshëm fushor në territorin e njësisë ushtarake #61732 në Tsel, më 30 qershor.
Kampi i mundshëm fushor në territorin e njësisë ushtarake #61732 në Tsel, më 30 qershor.
Ai, po ashtu,ka përmendur një element politik që mund të jetë prapa, duke thënë se, pavarësisht deklaratave publike, dyshon se Kremlini është i lumtur që Lukashenka – lidhjet e të cilit me Putinin dhe Moskën janë të ngushta, por të tensionuara – mirërpriti forcat, të cilat u përpoqën ta rrëzonin udhëheqjen ushtarake të Rusisë.
Një tjetër faktor është që ka sinjale se Qeveria ruse po përpiqet të marrë kontrollin e forcave të Wagnerit jashtë vendit.
Teksa kjo po ndodh, disa vendas kanë supozuar se Tsel mund të përdoret për të mbajtur personelin ushtarak të përfshirë në atë që Putin dhe Lukashenka pretendojnë se është transferimi i armëve taktike bërthamore nga Rusia në Bjellorusi.
Sipas zyrtarëve rusë, Moska do të mbajë ruajtje të armëve dhe mund të dërgojë trupa në Bjellorusi për t’i mirëmbajtur dhe mbikëqyrur ato. Mirëpo, nuk dihet se sa personel mund të dërgojë Rusia në Bjellorusi për këtë qëllim. Një brigadë raketash së fundmi kanë gjetur strehë në Tsel, duke fituar pseudonimin “djepi i forcave raketore bjelloruse”. Tsel ishte shtëpia e 1.500 anëtarëve ushtarakë në vitet ’90, duke përfshirë ushtarë të transferuar nga vendet e ish-Traktatit të Varshavës pas rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të komunizmit në Evropën Lindore në vitin 1989.
Numri i ushtarakë në Tsel u ul në afërsisht në 200 me kalimin e kohës pasi forcat e armatosura bjelloruse u rrëzuan pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë. Kazermat u braktisën në vitin 2018 pasi ushtarët e fundit u zhvendosën në një vend më afër Asipoviçit.
Një media e pavarur në gjuhën ruse, Vyorstka, raportoi më 27 qershor se Bjellorusia po ndërtonte disa kampe për rreth 8.000 luftëtarë të grupit Wagner, disa prej të cilëve mund të vendoseshin afër Asipoviçit. Shumë të burgosur rusë, të cilëve iu premtua liria në këmbim të gjashtë muajve të shërbimit luftarak, janë në radhët e Wagnerit. Pas kthimit nga Ukraina, një numër i ish-të arrestuarve kryen akte të dhunshme. Heshtja për atë se çfarë po ndodh në Tsel, i ka lënë vendasit të shqetësuar. “Aty ku ka tym, ka zjarr. Ne po përgatitemi për më të keqen”, tha një banor emri i të cilit nuk u dha për gazetën bjelloruse, Nasha Niva.