Ditën e djeshme Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë ka dhënë detaje nga marrëveshja që është arritur me Britaninë e Madhe për çështjen e transferimit të të dënuarve të tyre shqiptarë që të vuajnë dënimin e dhënë në burgjet shqiptare.
Ministri Ulsi Manja zbardhi detaje nga marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar miratuar më 19 korrik nga qeveria shqiptare. Meqë autoritetet britanike do të paguajnë transferimin dhe qëndrimin e të burgosurve, është rënë dakord që ato të vijnë në grup. Sapo të vijë grupi i parë, qeveria shqiptare, autoritetet e burgjeve do të marrin pagesat për grupin e parë të dënuarve që do të transferohen dhe më pas Ministria e Drejtësisë do t’i hapë rrugë grupit tjetër. “Për efekt të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, sa i takon efekteve financiare, pavarësisht se gjykatat shqiptare mund t’i japin këto vendime individuale në kohë të ndryshme, ne kemi rënë dakord me palën britanike që ata do të vijnë në grup. Dhe sapo të vijë grupi i parë, qeveria shqiptare, autoritetet e burgjeve do të marrin pagesat për grupin e parë të dënuarve që do të transferohen dhe më pas Ministria e Drejtësisë do t’i hapë rrugë grupit tjetër. Gjithmonë në varësi të vendimeve që do të japin gjykatat shqiptare”.
Të dhënat nga “The Telegraph”
Britania do t’i paguajë Shqipërisë të paktën 4 milionë paund në vit për të marrë 200 nga të burgosurit më të rrezikshëm, sipas një marrëveshjeje të arritur këtë javë. “The Telegraph” shkruan se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do t’i japë Shqipërisë 5 milionë euro (4.4 mln paund) për rinovimin e burgjeve, sigurinë shtesë, pajisjet e rehabilitimit dhe trajnimin e rojeve. Kjo shifër llogaritet mbi 36.5 euro në ditë për të burgosur për të gjithë kohëzgjatjen e dënimit të tyre, që Ministria e Drejtësisë në Britani vlerëson se do të kushtojë 4 milionë paund në vit. Gjithashtu, do të ketë një grup të përbashkët mbikëqyrës për të parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve dhe qeveria shqiptare do të hartojë një raport vjetor për të burgosurit dhe kushtet e tyre, ndërsa qeveria e Britanisë do të ketë të drejtën për të kryer kontrolle fizike.
“Secili vend mund ta përfundojë marrëveshjen me njoftim me shkrim dy muaj përpara dhe detaje të tjera gjenden në një dokument zyrtar, të parë nga ‘The Telegraph’, që finalizon marrëveshjen që zbulohet për herë të parë”, shkruan ‘Telegraph’. Mes 200 të transferuarve janë 17 të burgosur të përjetshëm, përfshirë Koçi Selamaj, 36 vjeç, vrasësi i mësueses Sabina Nessa, 28 vjeç. Ai u burgos për të paktën 36 vjet për rrahjen dhe mbytjen e saj për vdekje në një park në juglindje të Londrës. Ai ka vuajtur deri më tani vetëm dy vite, që do të thotë që Britania do t’i paguajë Shqipërisë 400,000 paund për ta burgosur për 34 vitet e mbetura të dënimit të tij. Ministria e Drejtësisë e Britanisë tha se marrëveshja do të kursejë paratë e taksapaguesve, sepse kushton gati 40,000 paund në vit për një të burgosur në Angli dhe Uells. Kjo do të ishte e barabartë me rreth 1.9 milionë paund për Koçi Selamajn.
Qeveria ka kërkuar garanci se të drejtat e njeriut të të burgosurve shqiptarë do të mbrohen, ndërsa Shqipëria ka kërkuar që të paguhet për çdo grup të burgosurish para se të pranojnë grupin e radhës.
Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të dëbuar shqiptarët e burgosur për krime në Britani. Sipas një marrëveshjeje të veçantë, kriminelët shqiptarë do të lirohen gjithashtu deri në një vit më herët dhe do t’u jepen grante prej 1500 paund nëse pranojnë të dëbohen dhe të mos kthehen më në Britani. Largimi i tyre do të ndihmojë në zbutjen e krizës për mbipopullimin e burgjeve, gjë që ka detyruar Ministrinë e Drejtësisë në Britani të lejojë lirimin e parakohshëm të qindra shkelësve që ndodheshin në paraburgim. Mes 200 kriminelëve janë edhe tetë të dënuar për përdhunim.