MENU
klinika

“Hapet në 2024”

Britanikja “The Sun” shkruan për Aeroportin e Vlorës: Turistët do shkojnë direkt në rivierën shqiptare

21.07.2023 - 15:04

Tabloidi britanik “The Sun” i ka kushtuar një shkrim rritjes së turizmit në Shqipëri dhe bukuritë përrallore që ofron vendi ynë. Si një thirrje për gjithë britanikët të vizitojnë rivierën shqiptare, “The Sun” thotë se vitin e ardhshëm do të hapet dhe Aeroporti i Vlorës.

“Një aeroport i ri po ndërtohet atje – dhe fluturimet mund ta lidhin atë me Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan media, ndërsa thekson se Shqipëria po kthehet në “Maldivet e Europës”.

Vlora është pjesë e rivierës shqiptare ka parë që britanikët të dynden për ta vizituar këtë vit. Aktualisht, ata duhet të fluturojnë drejt qytetit të Tiranës dhe më pas të udhëtojnë me orë të tëra për të shkuar në bregdet, thotë “The Sun”.

Megjithatë, media britanike shkruan se pranverën e vitit të ardhshëm, në Prill 2024, pritet të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës dhe kjo do të jetë një lehtësi e madhe për turistët britanikë por dhe të tjerët, të cilët duan të shkojnë direkt në rivierën shqiptare.

Së fundmi, edhe kompania irlandeze e fluturimeve low cost “Ryanair” ka njoftuar se në vjeshtë do të operojë me 17 linja të reja drejt Tiranës nga Britania e Madhe, por ende nuk ka konfirmuar se cilat do të jenë ato dhe nëse do përfshihet dhe Aeroporti Vlorës.

“Riviera shqiptare është rritur në popullaritet këtë verë me britanikët që duan pushime të lira në plazh. Jo vetëm që fluturimet janë vetëm disa orë nga Britania e Madhe, por birra kushton 1,10 £ dhe hotelet fillojnë nga 20 £”, shkruan The Sun.

Fluturimet drejt Shqipërisë nga Britania e Madhe pritet të lehtësohen edhe me rihapjen e dy aeroporteve në Playmouth dhe Manston. I pari u detyrua të mbyllet në vitin 2011 dhe pritet të rifillojë fluturimet, kurse i dyti në 20 vjet më parë.