MENU
klinika

Përfundimet e studimit që mrekulloi shkencëtarët

Brokoli dhe cigarja dy armiq që shkatërrojnë njëri-tjetrin

13.07.2023 - 11:31

Tymi i duhanit përmban kimikate të cilat dobësojnë sistemin tonë imunitar, duke e bërë atë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe duke dëmtuar aftësinë e tij për të shkatërruar qelizat kancerogjene.

Në të njëjtën kohë, tymi i duhanit mund të dëmtojë ADN-në e qelizave, duke rritur mundësinë e formimit dhe lulëzimit të qelizave kancerogjene.

Për të testuar fuqinë e ndërhyrjeve dietike në parandalimin e dëmtimit të ADN-së, shkencëtarët studiojnë zakonisht duhanpirësit kronikë. Studiuesit grumbulluan një grup duhanpirësish të rregullt dhe u kërkuan atyre të konsumonin 25 herë më shumë brokoli, sesa konsumi mesatar amerikan.

Me fjalë të tjera, të konsumonin një kërcell brokoli në ditë. Krahasuar me duhanpirësit që e shmangnin ngrënien e brokolit, vetëm brenda dhjetë ditësh, duhanpirësit që po e konsumonin atë, kishin 41 për qind më pak mutacione të ADN-së në gjakun e tyre.

brokoli-konica.al
brokoli-konica.al

A ndodhi kjo vetëm ngaqë brokoli rriti aktivitetin e enzimave detoksifikuese në mëlçinë e tyre, të cilat ndihmuan në pastrimin e qelizave kancerogjene përpara se këto të mbërrinin te qelizat e duhanpirësve?

Jo, edhe kur ADN-ja nxirret nga trupat e subjekteve dhe ekspozohet ndaj një kimikati që dëmton ADN-në, materiali gjenetik nga konsumatorët e brokolit tregoi dukshëm më pak dëme. Kjo tregon se ngrënia e perimeve, si brokoli, mund t’ju bëjë më të qëndrueshëm për sa i përket nivelit ndërqelizor.

Tani, mos mendoni se ngrënia e një kërcelli brokoli përpara tymosjes së një pakete cigare, do të eliminojë tërësisht efektet e kancerit që shkakton pirja e duhanit. Kjo nuk ndodh, por ndërkohë që përpiqeni të lini duhanin, perime, si brokoli, lakra dhe lulelakra mund të ndihmojnë në parandalimin e dëmeve të mëtejshme.

Përfitimet që vijnë nga familja e brokolit dhe lakrës nuk ndalen këtu. Ndërkohë që kanceri i gjirit është kanceri i brendshëm më i përhapur te femrat amerikane, kanceri i mushkërive është në fakt vrasësi i tyre numër një.

Rreth 85 për qind e femrave me kancer të gjirit janë ende gjallë edhe pesë vjet pas diagnostikimit, por ky numër ndryshon kur bëhet fjalë për kancerin e mushkërive: 85 për qind e femrave vdesin brenda pesë viteve nga diagnostikimi i kancerit të mushkërive. Nëntëdhjetë për qind e këtyre vdekjeve ndodhin për shkak të metastazave, përhapjes së kancerit në pjesë të tjera të trupit.

Disa përbërës te brokoli mund të kenë aftësinë që të pengojnë përhapjen e metastazave. Në një studim të vitit 2010, shkencëtarët morën një shtresë nga qelizat kancerogjene të mushkërive njerëzore dhe e vendosën në një piastër Petri duke pastruar një zonë në qendër të tyre.

Brenda njëzet e katër orësh, qelizat kancerogjene ishin bashkuar sërish dhe brenda tridhjetë orësh, zona e pastër ishte mbushur plotësisht. Por kur shkencëtarët hodhën disa nga përbërësit e perimeve të familjes së lakrës te qelizat kancerogjene, përhapja e tyre u frenua. Nëse ngrënia e brokolit do të ndihmojë ose jo në rritjen e mundësive për mbijetesë te pacientët me kancer mbetet për t’u testuar ende.

Gjëja më e mirë e ndërhyrjeve të shëndetshme dietike është se ato nuk kanë disavantazhe dhe mund t’i bashkëngjiten çfarëdolloj trajtimi tjetër që ne zgjedhim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN