MENU
klinika

Vasale e Moskës dhe tani pranoi rebelët e Wagner

Ç’do të ndodhë më tej me Bjellorusinë?

06.07.2023 - 16:23

Nga Jan Puhl “Der Spiegel” /“Embraer Legacy 600” është një avion privat për udhëtime biznesi luksoze. Dhe udhëheqësi i trupave mercenare Yevgeny Prigozhin është gjithashtu një fans i avionit. Avioni i tij, RA-02795, u ul në bazën ajrore Machulishchy pranë Minskut në orën 7:40 të mëngjesit të së martës së 27 qershorit.

Fakti që Prigozhin madje u lejua të arratisej në Bjellorusi ishte pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga diktatori bjellorus Alexander Lukashenko pas rebelimit të Wagner më 24 qershor. Ai pretendoi me krenari se në këtë mënyrë parandaloi derdhjen e “gjakut sllav”.

Nga ana e tyre edhe mediat bjelloruse raportuan me krenari se atë fundjavë udhëheqësi rus Vladimir Putin kishte biseduan 3 herë në telefon me Lukashenkon. “Unë e këshillova Putinin të mos nxitonte”- deklaroi Lukashenko gjatë një fjalimi para zyrtarëve ushtarakë dhe personaliteteve të tjera në pallatin e tij presidencial.

Ai u përpoq të shfaqej jo si një autokrat i varur nga Moska por si një “baba i mençur” që e këshillonte Putinin që të përmbahej nga veprimet e nxitura nga zemërimi i momentit. Lukashenko tha se Putin iu ankua se Prigozhin nuk po i përgjigjej as telefonatave të tij, ndaj nuk kishte kuptim të fliste me të.

“Në rregull, vetëm prisni. Do të përpiqem që të kontaktoj vetë me Prigozhin – pretendon se i është përgjigjur Lukashenko. Në versionin e tij të ngjarjeve, tingëllon sikur ai praktikisht parandaloi përshkallëzimin e situatës në luftime në shkallë të gjerë brendës Rusisë.

Pra Lukashenko po pretendon se ka luajtur një rol vendimtar në gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për luftën për pushtet midis Putin dhe Prigozhin. Në fakt duket se udhëheqësi bjellorus, i cilësuar prej vitesh si një vasal i rëndomtë i Kremlinit, po përpiqet të përfitojë nga kaosi në Rusinë fqinje.

A mos po synon ai të çlirohet nga varësia e madhe nga Rusia? A është realisht Lukashenko përfituesi kryesor i rebelimit? Ngjan e pamundur që ai të ketë pasur aq shumë ndikim në negociatat midis Putinit dhe Prigozhin sa edhe pretendon në publik. Sepse thuhet se bisedimet u drejtuan në fakt nga një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus.

Sipas raporteve, për shkak të detyrës së tij si kreu i shtetit, në rastin më të mirë Lukashenko e përmirësoi bisedën sa i përket protokollit. Tek e fundit nëse Prigozhin nuk do të flasë me askënd në Kremlin, atëherë në negociata duhet të përfshihet një president, edhe nëse ky është një vasal i Putinit.

Lukashenko është në krye të Bjellorusisë prej 29 vjetësh. Me nostalgjinë e tij për Bashkimin Sovjetik dhe recetat e tij të planifikuara për ekonominë, Perëndimi e cilësoi në fillim atë si një çudi postkomuniste. Por u bë që në fillim e qartë: për të siguruar sundimin e tij, ai është një njeri i gatshëm të shkelë edhe mbi trupat e të vdekurve.

Që nga ajo kohë, regjimi i tij është bërë gjithnjë e më represiv, popullsia e tij është gjithnjë e më e dëshpëruar. Për më tepër, ekonomia bjelloruse është në gjendje kome dhe është rritur varësia e saj nga Rusia. Dhe kjo sepse Lukashenko nuk ka partner tjetër në Evropë. Ai e rrënoi reputacionin e tij ndërkombëtar kur manipuloi zgjedhjet e fundit presidenciale dhe goditi opozitën.

Kur Putin njoftoi kohët e fundit se po planifikonte të vendoste në Bjellorusi raketa bërthamore ruse, ai nuk e mendoi këtë lëvizje për të forcuar statusin e Lukashenkos. Edhe pse bjellorusi pretendon se ka një zë në vendimin se kur mund të përdoren këto armë, e vërteta është se kodet e lëshimit janë në duart e Putinit dhe gjeneralëve të tij.

William Alberque i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, e ka cilësuar këtë zhvillim si një “aneksim me lëvizje të ngadaltë” të Bjellorusisë. Lukashenko po bëhet gjithnjë e më shumë një figurë e rëndomtë për Putinin: Ai mund të ketë një titull të lartë, por de fakto nuk ka ndonjë pushtet.

Ish-ministri i Kulturës i Lukashenkos, Pavel Latushka, që sot jeton në Varshavë dhe është anëtar i opozitës politike në mërgim, thotë: “Ai nuk është gjë tjetër veçse një vasal i Moskës”.

Se sa do të zgjasë realisht ky triumf, dhe nëse mund të jetë fillimi i një përpjekjeje për emancipim apo e kundërta, kjo mbetet për t’u parë.

Në fakt, nuk është ende e paqartë se çfarë mund të presë Bjellorusia nga kryengritësi Prigozhin, një mysafir që mund t’i shkaktojë probleme të mëdha Lukashenkos. Latushka vlerëson se deri në 8.000 luftëtarë të Wagner mund të vendosen së bashku me Prigozhin në Bjellorusi. Shumica e tyre janë ish të burgosur. Ky numër i madh luftëtarësh, shumë prej të cilëve të kalitur nga lufta, përbën një rrezik ekstrem për sigurinë, dhe nuk ka gjasa të përmirësojë imazhin publik të Lukashenkos.

Politologu bjellorus Valery Karbalevich, beson se Lukashenko po kënaqet jo pak nga aftësia e tij aktuale për t’u paraqitur në publik si shpëtimtari i Putinit. “Por ai nuk mund të përfitojë shumë nga një njësi ushtarake që ai nuk e kontrollon”- thekson ai.

Por çfarë do të bëjë Wagner në Bjellorusi? Nëse mërcenarët e kësaj kompanie do ta përdornin vendin e Lukashenkos si një trampolinë për një sulm të ardhshëm ndaj Ukrainës, Lukashenko do ta gjente veten të tërhequr akoma më thellë në luftë. Deri më sot, duket se ai ka dashur ta shmangë një skenar të tillë.

Sondazhet e pakta që janë të disponueshme ofrojnë një panoramë të qartë: Shumica e bjellorusëve nuk mbajnë mëri ndaj fqinjëve të tyre, dhe nuk ka gjasa t’i besojnë propagandës ruse për qeverinë e supozuar fashiste të Kievit. Nëse Lukashenko nuk do të ishte një diktator kaq brutal, do të ishte thuajse një histori tragjike se si ai po përpiqet dëshpërimisht që të çlirohet nga kontrolli i Rusisë.

Për vite të tëra, ai ka ndjekur në kurs të ndërmjetëm midis Moskës dhe Brukselit: ofroi herë pas herë një hapje të lehtë, më pak shtypje të disidencës, dhe ndërmori disa hapa kundër Moskës dhe krijoi përshtypjen se ishte i interesuar për marrëdhënie më të mira me Perëndimin.

Por Bashkimi Evropian nuk u bind mbi vërtetësinë e kësaj qasjeje. Madje me kalimin e viteve, sanksionet nga Brukseli u bënë hap pas hapi më të ashpra. Lukashenko përjetoi një moment të fundit triumfues gjatë viteve 2014-2015.

Ai ftoi liderët nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca në pallatin e tij të mrekullueshëm në Minsk për bisedime pajtimi. Por marrëveshjet e arritura gjatë atyre negociatave, Minsk I dhe II, kurrë nuk e zgjidhën realisht konfliktin në rajonin e Donbasit. Dhe sapo Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, ato u bënë të pavlefshme.

Sot, Bjellorusia i ngjan një vrime të zezë në mes të Evropës. Shumë pak informacion rrjedh jashtë, madje edhe televizioni bjellorus në mërgim Belsat në Varshavë, ofron shumë pak informacione nga vendi. Opozita vlerëson se ka rreth 2000 të burgosur politikë. Frika i ka paralizuar bjellorusët. Dënohen edhe ata që postojnë në rrjetet sociale kritkika për regjimin.

Shumë analistë pyesin nëse regjimi do të bjerë me vdekjen e Lukashenkos. Por ekspertë si gazetari polak Jakub Biernat nuk besojnë se do të ndodhë diçka e tillë. Sepse në vend ka shumë njerëz që përfitojnë nga sistemi ekzistues. Njerëzit brenda aparatit të sigurisë nuk mund të lejonin kurrë një hapje, sepse atëherë ata ndoshta do të duhej të bëheshin gati për t’u përballur me drejtësinë.

Më e rëndësishmja, thotë Biernat, Rusia nuk do të lejonte kurrë që pararoja e saj perëndimore të bëhej më demokratike. Ka të ngjarë që njëri nga djemtë e Lukashenkos ta pasojë atë si president. Më i madhi, Victor, është tashmë në listat e sanksioneve ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut. I dyti, Dmitry, është shumë i lidhur me sistemin si sipërmarrë, ndërsa më i vogli, Nikolai, u lejua të shfaqej në krah të babait të tij me një uniformë të stilit sovjetik.

Një vazhdimësi në fron përgjatë sipas stilit dinastik si në Korenë e Veriut, nuk do të befasonte askënd në Minsk. Edhe vetë Lukashenko e pranoi kalimthi se sa i brishtë është sundimi i tij. Në fjalimin e tij të martën e kaluar, ai tha: “Nëse bie Rusia, ne do të jemi të shtrirë nën rrënoja dhe të gjithë do të vdesim!”