MENU
klinika

I dorëzoi detyrën e ministrit të Brendshëm

Çuçi: Jam i bindur se Balla do e çojë para punën në këtë institucion

15.07.2023 - 21:10

Ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar pasi i dorëzoi zyrtarisht detyrën e ministrit të ri të Brendshëm, Taulant Ballës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Çuçi u shpreh se funksionet publike janë të përkohshme dhe se ajo çfarë mbetet është puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve. Ish-ministri thotë se i ka dorëzuar Ballës një “Exit Memo” me prioritetet e 2023 të Ministrisë së Brendshme, duke shtuar se ka besimin se pasardhësi i tij Taulant Balla së bashku me ekipin e vetë do çojë përpara punët në këtë institucion kaq të rëndësishëm.

“Funksionet publike janë të përkohshme. Çfarë mbetet e ka vlerë të pashlyeshme është puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve që gjithmonë presin e meritojnë më shumë nga ne. I dorëzova sot Taulantit një #ExitMemo me prioritetet e 2023 të Ministrisë së Brendshme, me bindjen se bashkë me ekipin e tij ai do të çojë përpara punët në këtë institucion kaq shumë të rëndësishëm”, shkruan Çuçi.

Taulant Balla u betua sot si ministër i Brendshëm në Presidencë. Ai u betua para Presidentit të Republikës Bajram Begaj, ku në ceremoni mori pjesë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, si dhe deputetë të PS-së.