MENU
klinika

Gati lista me arrestime, të rrezikuar pushtetarë të lartë

DASH paralajmëron “tërmet” nga SPAK

29.07.2023 - 12:04

Aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundmi kanë dhënë sinjale të qarta se Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet. DASH ka publikuar raportin për vitin 2022 ku përveç klimës së investimeve në Shqipëri paralajmëron se SPAK me ndihmën e amerikanëve pritet të godasë me dorë “të hekurt” pushtetarët e lartë të lidhur me krimin. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se reforma gjyqësore e mbështetur nga SHBA-BE është një nga zhvillimet më domethënëse në Shqipëri që nga fundi i komunizmit dhe lista me arrestime që do të pasojë në vijim, pritet që të sjellë ndryshime të mëdha në Shqipëri. Në raportin e DASH thuhet se SPAK nuk do të ndalet derisa të gjithë pushtetarët e lartë të korruptuar të përfundojnë pas hekurave. Sipas amerikanëve, pasi të zbatohet plotësisht ky skenar, Tirana pritet të pozicionohet si një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë. “Miratimi i ndryshimeve kushtetuese në korrik 2016 për reformimin e sistemit gjyqësor ishte një hap i madh përpara dhe reforma, pasi të zbatohet plotësisht, pritet ta pozicionojë vendin si një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë. Reformat gjyqësore të mbështetura nga SHBA dhe BE janë ndër zhvillimet më domethënëse në Shqipëri që nga fundi i komunizmit dhe gati një e treta e kushtetutës u rishkrua si pjesë e përpjekjes. Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), pjesë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar në kuadër të reformës në drejtësi, po bëjnë progres në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e personave të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, duke përfshirë zyrtarë të lartë aktualë ose të kaluar dhe krerët e krimit”, thuhet në raportin e DASH.

Gati lista me arrestime
Ditët dhe javët në vijim pritet të jenë shumë të nxehta për pushtetarët e lartë të korruptuar. Gazeta ka mësuar se Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është drejt mbylljes së disa dosjeve që do të tronditin themelet e politikës. Sipas informacioneve, mësohet se SPAK pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti. Në ditë në vijim gazeta do japë detaje se për çfarë dosjesh bëhet fjalë, por sipas burimeve brenda këtij muaji do ketë lëvizje të bujshme nga Prokuroria e Posaçme. I cilësuar ndryshe si “i përzgjedhuri amerikanëve”, Altin Dumani i dha sinjalet e shpërthimit të këtyre dosjeve në ditën kur u emërua në krye të drejtësisë së re shqiptare. Ai paralajmëroi se tani fillon faza e dytë e SPAK, ai i arrestimit të “peshqve të mëdhenj. Me marrjen e frenave të SPAK, politika është mbërthyer nga ankthi dhe terrori, pasi prokurori special Dumani pritet të urdhërojë fushatë arrestimesh për dosjet e bujshme të korrupsionit. Zoti Dumani është “prokurori i pakompromis” dhe ky detaj i fortë, duket se ka nisur të tundë themelet e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve të korruptuar të përfshirë në afera e zullume. Pra, me ardhjen në krye të SPAK të Altin Dumanit, pritet që frazën “peshqit e mëdhenj në burg”, e cila deri më dje përqeshej nga politikanët dhe mediat, tashmë do ta shohim të vënë në zbatim. Dumani deklaroi se tashmë puna e Prokurorisë së Posaçme do të kalojë në një tjetër nivel, në një luftë më agresive ndaj korrupsionit të çdo niveli. “Pas këtyre 3 viteve, Prokuroria e Posaçme do të kalojë tashmë në një fazë tjetër dhe që është ajo e një lufte më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli si dhe krimit të organizuar. Tashmë kemi një Prokurori e cila është në funksion të plotë në përbërje të së cilës jemi 17 prokurorë, kemi tashmë Byronë Kombëtare të Hetimit funksionale. Gjithashtu, kemi dhe diçka tjetër pozitive që kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite punë”, tha në fjalën e tij Dumani.