MENU
klinika

Tenderat dhe pushimet e padrejta nga puna

Detyrimet e prapambetura, ekspertët: Shqetësuese

01.07.2023 - 15:50

Zgjedhjet vendore të 14 majit kanë ndikuar në rritjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe qytetarëve në 12.7 miliard lekë. Ekspertët e ekonomisë kanë ndarë në studion e A2 Business arsyet dhe shqetësimet nga rritja e tyre, duke sugjeruar edhe zgjidhje.

Për ekspertin Pano Soko, shqetësim përbën tundimi i drejtuesve të dikastereve për tendera dhe vendimet e gjykatave për pushimet e padrejta nga puna duke rënduar mbi xhepat e qytetarëve. Ai sugjeron vendosjen e një norme të qartë që përshkruan rrugëtimin e parasë brenda institucioneve financiare me qëllim krijimin e sa më pak detyrimeve.

“Është e mundur që mos krijohen borxhe nëse ndiqet rigorozisht ligji dhe qeveria. Nuk ka të bëjë me disiplinën financiare të çdo qeverie, por drejtuesit e dikastereve tundohen nga tendera dhe kanë të fundit në listën e tyre, për të parë nëse i ka fondet e mjaftueshme për të hapur një tender apo jo. Tundimi është shumë i madh dhe drejtuesit e dikastereve nuk i rezistojnë dot. Duhet më tepër vendosja e një rregulli të shkruar, një norme të qartë që përshkruan rrugëtimin e parasë brenda institucioneve financiare me qëllim krijimin e sa më pak detyrimeve. Të gjitha këto shqetësuese për mua janë vendimet gjyqësore, se ndryshe nga llojet e tjera nuk janë para që kthehen mbrapsht. Për ata që janë larguar padrejtësisht nga puna. Është një shkelje dhe abuzim. Këto para nuk i kanë detyrim qytetarët t’i paguajnë që janë gjetur në gabim të një institucioni. Këtij fakti ne duhet t’i shkojmë deri në fund ka ardhur të disiplinohet rrugëtimi i parasë për të mos rënë në kurthet e 2013 dhe përgjegjësia”.

Për ekspertin Flerenc Dilaveri, shqetësimi qëndron te mungesa e zbatimit të ligjit dhe vullneti politik. Ai thotë se në zgjedhjet e fundit qeveria kandidoi të njëjtët njerëz që kishin dështuar në administrimin e tyre.

“Zbatueshmëria e ligjit dhe vullneti politik në rastin më të shpeshtë janë ato që ndikojnë negativisht se legjislacioni ekziston kuadri ligjor është i plotë përvoja e mëparshme nuk të lejon të gabosh e vetmja gjë është vullneti individual dhe politik i drejtuesve. Nga zgjedhjet e fundit bashkitë me probleme të mëdha, qeveria kandidoi të njëjtët njerëz që kishin dështuar në administrimin e tyre dhe shembulli i vetëm ishte vota dhe nuk ka rëndësi disiplina financiare e borxhi që krijoni se ajo u falet kur konfirmoni mandatet tuaja. Kemi një kryeministër që përmendi me zë dhe figurë bashkitë që ishin në prag falimenti dhe rikandidoi të gjithë arkitektët e falimentit. E kemi të konfirmuar ndarjen e vullnetit politik”.

Në të njëjtën linjë edhe eksperti Fatos Çoçoli, sipas të cilit zgjidhja është ligji për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik.

“Përgjegjës është titullari që ka hedhur firmën për këtë post të padrejtë. Shumë lehtë shkohet te titullari se vendimi i marrjes në punë në mënyrë të jashtëligjshme. Zgjidhja është ligji për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik. KLSH e ka sjellë si propozim, ka rënë në vesh të shurdhët është një zgjidhje. Bëhet për ata që shkaktojnë vendime të jashtëligjshme”.

Por Dilaveri dhe Soko u shprehën skeptikë në këtë pasi nuk i intereson qeverisë.

“Ai që ka përgjegjësi ta paguajë nga rroga e vet se askush nuk mban përgjegjësi për këtë gjë, duhet ndryshim ligjor. Statusi i nëpunësit civil ishte kusht i BE, por aktualisht me arnimet që i janë bërë ai tashmë është kthyer në ligj të zakonshëm që jo vetëm nuk e mbron administratën, por ka zhveshur nga prerogativa të ligjit të mëparshëm”, tha Dilaveri.

“Nëse vendos një ligj të tillë kontrolli mbi administratën minimizohet. Se nëse e heq nga puna do të duhet të mendohesh mirë. Që të krijosh kosto për publikun aktualisht rëndojnë buxhetin dhe kjo nuk të jep mundësinë të kontrollosh administratën”, u shpreh Soko.